Shoqata HANDIKOS sot ka bërë një kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës rreth njoftimit që e kishin bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar për subvencionim me nga 80 euro te personave me aftësi të kufizura që jetojnë në Prishtinë.
“Më datë 24 nëntor 2020, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti përmes një statusi në profilin e tij në Facebook pati njoftuar se personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë, në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19 në Kosovë”, thuhet në komunikata.
Mirëpo nga kontaktet e vazhdueshme me personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, banorë të Prishtinës, ata në HANDIKOS kanë paraqitur shqetësimet e tyre se deri me tani asnjë prej tyre nuk kanë përfituar nga shuma përmendur, gjë për të cilën kemi kërkuar sqarime nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale, por që nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje të qartë.
“Andaj, HANDIKOS bën kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës dhe kryetarit Ahmeti që të dalin me një sqarim lidhur me premtimin e bërë para dy muajve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të informohen nëse nëse procesi është anuluar apo do të përfundojë së shpejti”, përfundon komunikata.