Arbër Gruda, vëllai i Labinot Grudës, zyrtarit të arrestuar të Ministrisë së Financave, ka akuzuar avokatin Veton Rrecaj se nuk i është bindur urdhrit të familjes Gruda për t’u tërhequr nga përfaqësimi i familjarit të tyre.
Përmes një lidhje telefonike në Klan Kosova, ku ishte i ftuar avokati Rrecaj, vëllai i Labinot Grudës ka thënë se para se familjari i tij të dilte para gjykatës, ai e ka ndjekur me veturë avokatin.
“Avokati ka thyer çdo të drejtë të mundshme sa i përket avokatëve . Para fillimit të seancës gjyqësore, është njoftuar Veton Rrecaj se ai nuk është më avokat i yni. Ky me çdo kusht ka ngul këmbë që ‘unë kam me qenë avokat deri në ngritje të aktakuzës. Me një fjalë ky ka kqyr me përfituar, me bo famë si avokat përmes vëllait tim. Kjo është totalisht e papranueshme”, tha Gruda.
“Nuk e kemi revokuar ne. Avokati Veton Rrecaj e ka shfrytëzuar mundësinë, e ka shfrytëzuar kohën që janë blloku në burg me vizita, me telefonata, me takime mes avokatëve. Të vetmin takim e ka pasur ky atë natë që e kanë pru policia këtë avokat. Atë ditë që u kry gjyqi, ky nuk me ka lajmëruar mua më së pari as ku ma e kanë çuar vëllain, as ku e kam vëllain as sen”, tha Gruda.
“Nuk u ndalë tre minuta me fol, e kam ndjek me kerr prapa deri të gjykata, nuk ka pas që e nxen o vëlla”, shtoi ai.
Ndërkaq, avokati Veton Rrecaj ka deklaruar se nuk mund të tërhiqet nga përfaqësimi i Labinot Grudës deri në momentin kur vet klienti ia heq atij autorizimin për përfaqësim.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati Selman Bogiqi i cili thotë se ai dhe Tahir Rrecaj janë avokatët e Grudës.
“Lidhur me autorizimet që ia ka dhënë familja e Labinot Grudës, ju njoftoj se unë Selman Bogiqi dhe Tahir Rrecaj jemi avokatë të të dyshuarit Labinot Gruda, ndërsa sa i përket avokatit që gjendet në studion tuaj atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar me sms nga vëllai i Labinot Grudës i cili e ka njoftuar se ai nuk është më avokat i vëllait të tij. Neve po na habit se si është e mundur që të paraqitet kur për këtë fakt është i njoftuar shumë mirë. Sot unë dhe kolegu im Tahir Rrecaj kemi pranuar dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë të cilat avokati që gjendet aty nuk i ka – një urdhër ndalues dhe urdhërese për sekuestrim të përkohshëm të gjësendeve”, tha Bogiqi.