Një vjetori i zgjedhjeve të jashtëzakonshme që e kishin radhitur LDK’në të dytën pas Vetëvendosjes ka shkaktuar një përplasje të re në mes të kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe kreut të Lidhjes Demokratike, Isa Mustafës, shkruan Gazeta Express.
Glorifikimi që Vjosa Osmani i bëri rezultatit të zgjedhjeve të gjashtë tetorit e reagimet kundër LDK’së, bënë që kreu i këtij subjekti, Isa Mustafa të deklarojë se arsyeja se pse nuk dolën të parët me 6 tetor të 2019-tës, ishte vetë kryeparlamentarja.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Mustafa dje ka thënë se në fakt nuk është përdhosur vullneti i qytetarëve nga LDK’ja por nga ata që ua kanë mbajtur anën partive të tjera, e kanë dëshmuar se janë e kundërta e frymës rugoviane.
“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Për kritikat ndaj qeverisë dhe konstatimeve se ekzekutivi u është kundërvënë qytetarëve, Mustafa i ka rikujtuar Osmanit se Hoti është duke ushtruar pozitën që i takon me Kushtetutë, derisa thotë se është vetë ish-nënkryetarja e LDK-së që po vazhdon ta mbajë një pozitë që me Kushtetutë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Deklarimeve të Isa Mustafës për Expressin iu është përgjigjur Vjosa Osmani përmes një shkrimi të gjatë në Facebook.
Kryeparlamentarja ka thënë se Mustafa është mashtrues e se i njëjti njihet për ndryshim të qëndrimeve sa hap e mbyll sytë.
Osmani e ka akuzuar Mustafën për bashkëpunim me PDK’në, duke thënë se i ka sjellur LDK’së rezultatin më të miër në zgjedhje që 15 vite.
“Unë, lëre që e pata guximin, por i solla LDK-së rezultatin më të mirë në 15 vitet e fundit. Recidivisti, në peak-un e fushatës zgjedhore, dilte në intervista duke thënë që nuk është penduar që e ka zgjedhur Thaçin President, duke rrënuar çdo kala, të cilën unë me kolegë e ndërtonim në çdo lagje e çdo fshat duke rikthyer besimin për LDK-në të shkelur rrënjësisht nga Mustafa & Co.
Në këtë shkrim të gjatë, Osmani për herë të parë ka thënë se ajo është kandiduar nga LDK’ja për të vetmen arsye sepse të gjithë të tjerët janë frikësuar që të garojnë me Albin Kurtin, përjashtimisht një personi të cilin nuk e ka përmendur me emër.
Se kush është i vetmi në LDK që ka pranuar të garojë me Kurtin në zgjedhje, nuk e ka zbuluar as Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK’së, në një përgjigje për Gazetën Express.
“Nuk e di, pytne Vjosën çka ka mendu. Unë e kam mbështet nominimin e Vjosës”, ka thënë shkurt Haziri për Express të martën.
Më kritik se Haziri ka qenë nënkryetari tjetër i këtij subjekti, Agim Veliu që njihet për raporte të acaruara me Osmanin.
“Ajo është çështje e kaluar tashmë, ai proces ka kaluar dhe dihet si ka kaluar. Por, ka kohë që Vjosa flet gjëra të pavërteta dhe nuk ia vlen të merremi me të për më tepër. Ka pasur LDK’ja edhe kandidatë të tjerë për kryeminsitër. “Nuk do doja të deklarohesh më shumë për këtë çështje. Kjo çështje është e kaluar. Qëndrime te mia kanë qenë të njohura. Por, ajo ka kohë që flet gjëra të pavërteta dhe është jashtë qëndrimeve dhe vijës së LDK’së. Këto po i pranon ajo edhe vetë, madje edhe bashkëpunëtorët e saj me të cilët po bashkëpunon. Tash e një kohë të gjatë ajo po bashkëpunon me Vetëvendosjen. Ata po deklarohen publikisht se janë në vij dhe mendojnë njëjtë, kemi qëndrime të afërta dhe këto janë publike”, ka thënë Veliu përGazetën Express.
LDK’ja ka vendosur për përjashtimin e Vjosa Osmanit pasi që e njejta kishte dalë kundër rrëzimit të Albin Kurtit e votimit të Avdullah Hotit për kryeministër.
Tashmë Osmani ka paralajmëruar krijimin e një iniciative qytetare.