Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në Kuvendin e Kosovës ka dhënë sqarime për vendimin e shuarjes së Task Forcës. Hoti ka thënë se pika e parë e vendimit për themelimin e asaj Task Force ka qenë kundërkushtetuese.
“Pika e parë e këtij vendimi është kundërkushtetuese”, ka thënë kryeministri, derisa ka sqaruar se qeveria s’mund t’i tregojë prokurorisë së si duhet të punojë dhe çfarë duhet të hetojë.
“Në këtë vendim ka munguar vetëm edhe emri i prokurorëve”, ka theksuar Hoti.
Pas këtyre fjalëve të kryetarit të qeverisë, ka reaguar Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka akuzuar Hotin se i ka dhënë një goditje të fortë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pa reaguar s’ka qëndruar Hoti, i cili ka ftuar deputetin Tahiri që të shfrytëzojë mekanizmat parlamentar për të mbikëqyrur punën që po bëhet për hartimin e organogramit të ri të Policisë.
“Ne tani po e bëjmë organogramin e ri të Policisë. Ju keni mekanizma parlamentar, shkoni e mbikëqyreni punën”, ka shtuar Hoti.