Pas një suksesi të jashtëzakonshëm që ka arritur falë bashkëpunimit të saj më të fundit me David Guettan, për këngën “I’m Good (Blue)”, Bebe Rexha është gati për një projekt tjetër muzikor.
Artistja shqiptare me renome botërore, ka bërë të ditur se është në përfundim e sipër të këngës së saj më të re me titull “Heart Wants What It Wants”.
Këtë gjë ajo e bëri të ditur përmes një videoje të publikuar në rrjetin social TikTok, ku shfaqej në një performancë mjaft atraktive.
@beberexhaHeart Wants What It Wants❣️♬ original sound – BebeRexha
E veshur me pantallona dhe bluzë xhinse, Rexha nuk i kurseu lëvizjet provokuese nën ritmet e këngës së saj të re, e cila duket se do të jetë shumë ritmike.
Ajo nuk ka dhënë detaje më shumë, megjithatë është e qartë se këtë vit ajo do të sjellë të plotë albumin e tretë në karrierën e saj, pasi kanë kaluar dy vite nga albumi i saj i dytë.
Bebe Rexha përndryshe këtë të diel do të jetë prezentë në Los Angeles, për mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve, ‘Grammy Awards’.
Ajo është e nominuar për çmimin “Kënga më e mirë ritmike/elektronike” për bashkëpunimin e saj “I’m Good (Blue)” me David Guettan.
Artistja me origjinë shqiptare ka qenë edhe dy herë të tjera e nominuar për çmimet ‘Grammy’ në vitin 2019, por fatkeqësisht në atë kohë, ajo nuk kishte arritur të fitonte asnjërin prej tyre.