Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të premten ka udhëtuar për në Suedi, ndërsa sot vazhdon përgatitjet për ndeshjen përmbyllës të fazës së dytë kualifikuese për Euro 2022.
Tashmë këto kualifikime janë të suksesshme për “Dardanët”, përcjell FrontOnline.
Të dielën (18:00), Kosova e zhvillon ndeshjen me ndeshjen me nënkampionen e Botës, Suedinë.
Ndeshja luhet në Alingsas të Suedisë.
Suedia është në moment të ndritur. Në fillim të vitit luajti në finale të Botërorit, ndërsa të gjitha ndeshjet kualifikuese i ka fituar bindshëm. Të premten, Suedia fitoi ndaj Malit të Zi në Podgoricë me rezultat 34:22.
Suedia udhëheq në grup me 10 pikë nga 5 ndeshje. Mali i Zi është i dyti me 4 pikë, ndërsa vendet tre e katër janë për Rumaninë e Kosovën me nga 3 pikë.
Matematikisht ende kemi gjasa për kualifikim, por Suedia është niveli më i lartë i mundshëm botëror.
Djemtë tanë megjithatë po përgatiten për të dhënë më të mirën e mundshme, për të djersitur fanellën e rëndë të Kosovës sa më shumë të jetë e mundur. Ajo kërkohet prej tyre – angazhim maksimal, luftë për çdo top dhe prezantim i dinjitetshëm i përfaqësueses./FrontOnline/