Përfaqësuesja e Kosovës në Izrael publikon foto nga ambasada në Jerusalem: Krenare dhe e nderuar
E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, është shprehur krenare për hapjen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Demiri ka shkruar në Facebook se është nder i madh për të që t’i shërbejë Kosovës në atë ambasadë.
“Një moment vërtet krenar dhe historik për marrëdhëniet e Kosovës dhe Izraelit. Republika e Kosovës sot zyrtarisht hapi Ambasadën e saj në Jeruzalem! Nderi më i madh i jetës sime është të kem këtë mundësi për të hapur Ambasadën dhe t’i shërbej me krenari vendit tim në Izrael”, ka shkruar ajo.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar më herët se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izrael me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington, të nënshkruar në shtator të vitit që shkoi.