Debat i ashpër është zhvilluar ditëve të fundit mes përfaqësuesëve të opozitës dhe zyrtarëve qeveritar sa i përket numrit të bizneseve të mbyllura gjatë vitit të kaluar në Kosovë.
Sipas Arben Mustafës nga PDK-ja, i cili i është referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë 13.302 biznese të mbyllura.
Me këto shifra nuk është pajtuar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili nëpërmjet një statusi në profilin e tij në “Facebook” ka shkruar se vetëm 1602 biznese janë shuar vitin që lamë pas.
Në anën tjetër, statistika krejt tjera prezantojnë përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë.
Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve ka theksuar për Front Online se rreth 18 mijë biznese janë mbyllur gjatë katër viteve, periudhë kjo kur në krye të Qeverisë ka qenë Albin Kurti.
“Brenda katër viteve zyrtarisht janë shuar 6733 biznese, kurse jo zyrtarisht bizneset e shuara, bizneset e falimentuara, bizneset pasive, të mbyllura, në nivel vjetor janë rreth 4500 apo rreth 18 mijë biznese në një periudhë katër vjeçare e që supozohet se kanë mbetur pa punë mbi 20 mijë persona”, tha Shahini.
Shahini ka treguar edhe statistikat e hapjeve të bizneseve të reja.
“Janë hapur 42.957 biznese të reja, që përafërsisht janë diku 45 mijë punëtorë. Mesatarja e punësimit në kompanitë e reja ka qenë 1.3 punëtor për kompani. Nga janari deri në gusht janë hapur rreth 8 mijë biznese dhe janë mbyllur 1080 biznese në këtë periudhë”, deklaroi Shahini.
Shahini: Kosova është pas Ukrainës me zhvillim ekonomik
Agim Shahini nga AKB ka thënë për “Front Online” se deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë nuk përkojnë me trendin pozitiv të ekonomisë.
Ai tha se Kosova është në vendit e fundit pas Ukrainës për zhvillimin ekonomik.
“Qeveria Kurti vazhdimisht ka deklaruar për trendin pozitiv të ekonomisë, por statistikat që ne i kemi tregojnë se trendi nuk është në nivelin e duhur, është negativ dhe Kosova mbetet më së keqi në Evropë pas Ukrainës dhe kjo tregon më së miri se çka ka bërë Qeveria Kurti për bizneset”, u shpreh Shahini.
Ish-ministri i Tregtisë: Ekonomia nuk rritet me skema sociale
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka folur për “Front Online” lidhur me trendin e mbylljes së bizneseve në Kosovë.
Krasniqi ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se është faktori kryesor për mbylljen e bizneseve.
Ai tha se ministri i Financave po mburret me rritjen e të hyrave të ATK që vijnë si pasojë e gjobave.
“Këtë vit po vërehet dukshëm mbyllja e bizneseve, faktori i parë gjendja e krijuar nga qeveria. Çmimet janë rritë në vazhdimësi. Ndëshkimet e presionet nga ATK e mburrja e Muratit për rritjen e të hyrave janë si pasojë e gjobave që po i shkaktojnë bizneseve, dhe pastaj po mbyllen”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi thotë se nuk zhvillohet ekonomia me skema sociale të Qeverisë.
Ai deklaron se proklamimet e ministrit Murati për rritje ekonomike janë për mjerim.
“Qeveria i ka ngarkuar me gjoba e tarifa bizneset s’i ka ndihmuar. S’ka investitor strategjikë, ekonomia nuk rritet me skema sociale dhe me shifrat që i proklamon Murati janë kamuflazhe e për mjerim, zhvillimi i Kosovës është sikur në kohën e pandemisë”, përfundoi Krasniqi./FrontOnline/