Besnik Berisha, i autorizuar për të përfaqësuar Qeverinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese për rastin e votës së deputetit Etem Arifi, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që vota e këtij deputeti për formimin e Qeverisë Hoti, të shpallet e pavlefshme.
Sipas Berishës, çështja e dënimit të deputetit Arifi s’mund të lidhet me legjislaturën e shtatë, por me atë paraprake. Ai ka thënë në fjalën para Gjykatës Kushtetuese se koha e dënimit të Arifit nuk lidhet me legjislaturën kur deputeti votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes.
“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi”, ka thënë ndër tjerash ai.