×
  • Opinione
  • Opinione

    Perëndimi që çliroi Kosovën nuk ekziston më

    Mero Baze
    26 Mars 2025

    Shkruan: Mero Baze:

    24 marsi i vitit 1999 është nata e parë dhe ndoshta e fundit në këtë epokë, kur avionët e NATO-s u ngritën për të bombarduar një shtet i cili mbante nën dhunë një popullsi të një etnie tjetër brenda territorit të vet shtetëror. Beteja e NATO-s për të çliruar Kosovën dhe më pas pavarësia e saj, sot mbush 26 vjet.

    Si çdo gjë e madhe dhe historike, sa më shumë kalon koha, aq më shumë ndjehet vlera e asaj. Por në këtë 26-vjetor, ka një arsye edhe më të madhe për të kujtuar atë që ndodhi.

    Nëse bota që çliroi Kosovën do të ishte siç është sot, dhe jo siç ishte më 1999, jo vetëm që nuk do ta çlironte, por do ta linte të zhdukej nga harta e botës, siç ka lënë mijëra raca të tilla në botë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, ose më saktë të themi, Bill Klinton dhe Toni Bler, arritën që në rastin e Kosovës të arrijnë kulmin e marrëdhënieve transatlantike, duke bashkuar çdo vend të Evropës me Britaninë dhe SHBA-të për të çliruar një popull dhe për t’ia shkëputur nga shteti një diktatori i cili po i dhunonte.

    Tani kjo histori zhvlerësohet nga vetë nëpunës politikë amerikanë dhe shumë perëndimorë. Thjesht, sot kjo histori nuk do të kishte ndodhur.

    Mënyra se si Ibrahim Rugova prej dhjetë vitesh radhazi, nga viti 1989 deri në vitin 1999, arriti ta bëjë Kosovën temë të diplomacisë perëndimore, me një shall në qafë dhe dy fjali të vetme në gojë, si një prift i përunjur para Zotit, duke iu lutur Perëndimit të shpëtonte vendin e tij, bëri të mundur të piqte në Kosovën vetëdijen për t’u organizuar si një shtet paralel dhe për ta besuar atë shtet që kishin krijuar vetë.

    Falë kësaj sjelljeje, kur lodhja prej pritjes po bëhej e rëndë dhe kur Millosheviqi shpresoi se me një ofensivë do të zhdukte çdo shenjë të rezistencës paqësore në Kosovë, lindi UÇK-ja, e cila më shumë se sa një ide e një grupi, ishte një vendim i çdo shtëpie shqiptari për të mbrojtur pragun e vet.

    Falë kësaj rezistence që i dha dinjitet popullit shqiptar, Kosova arriti të kthehej në problem ndërkombëtar, pasi mbrojtja e saj shmangte një luftë rajonale, ndërsa lejimi i saj e kthente në shesh lufte Ballkanin.

    Ishte kjo arsyeja që bindi SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe çdo qeveri evropiane që më 24 mars 1999 të ngrinin avionët në ajër dhe të fillonin bombardimin e Serbisë për 77 ditë.

    Në ndryshim me 26 vite më parë, Kosova sot është një vend në konflikt me burokracinë perëndimore, me sanksione tanimë të pakuptimta nga Bashkimi Evropian dhe e frikësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Shumë nga këto probleme, para fitores së presidentit Trump, ia ka sjellë vetë qeveria e saj, me lojërat narciste për t’u vendosur në qendër të vëmendjes në kurriz të Kosovës dhe për të rritur profilin populist të Albin Kurtit, si një “hero” kundër Perëndimit.

    Tani kjo epokë ka mbaruar.

    Nuk është më koha kur një udhëheqës në Kosovë mund të ketë luksin të bëhet “popullor” në Kosovë duke u grindur me Perëndimin.

    Perëndimi që çliroi Kosovën nuk ekziston më.

    Në SHBA është dikush që, kur t’ia shpjegojnë Kosovën dhe problemin e saj specifik, mund të pyesë: “A ka minerale të rralla? A ka TEC bërthamore? A ka ndonjë plazh të mirë?” Dhe nëse i thonë “Jo”, mund të thotë: “S’kemi punë me ta.”

    Në Evropë janë 27 telefona, ku nuk të përgjigjet asnjëri njësoj.

    Ndërkohë në Kosovë janë pesë kryetarë partish që kanë frikë të bëjnë qeverinë, se nuk dinë kush do përballet me këtë furtunë. Ndryshe nga Ibrahim Rugova e Bujar Bukoshi që i dolën përballë Serbisë duke krijuar shtetin paralel dhe komandantët e UÇK që dolën në mal për të vdekur, këta nuk dalin dot nga zyra e tyre prej frike se kush do të bëhet kryeministër në këtë kohë.

    Është koha të ndajnë përgjegjësitë së bashku.

    Kosova duhet të formojë një qeveri, duke shmangur protagonizmin politik të kryetarëve të partive dhe të marrë vendime të matura për të kaluar këtë furtunë të botës, e cila jo vetëm që s’ka më asnjë emocion për atë që ka bërë për Kosovën, por ka dhe ndjesi negative.

    Për 26 vite, Kosova nuk arriti dot, mjerisht, të bënte hapa domethënës drejt njohjes së plotë ndërkombëtare dhe reputacionit të saj si shtet jo i dështuar.

    Por përsëri ajo ka bërë hapa të mëdhenj, gjigandë përpara drejt vetëdijësimit si një shtet dhe shoqëri e pavarur.

    Ndaj tani duhet ta mbrojë këtë histori të saj.

    Jo më me bomba të NATO-s, por me përgjegjësinë dhe mbrojtjen nga çlirimtarët e djeshëm.

    Nga Rubrika
    Opinione29 Mars 2025
    Nga: Orhan Pamuk, shkrimtar, fitues i Nobelit për Letërsi në vitin 2006 / The Guardian Që prej arrestimit në fillim të këtij...
    Opinione28 Mars 2025
    Nga Prof. DR. Elmas Leci: Ukraina është viktima e radhës dhe e re e gjeopolitikës ruse, e asaj gjeopolitike, e cila herë...
    Opinione26 Mars 2025
    Opinion nga Drizan Shala, njohës i cështjeve të sigurisë: Lufta Hibride dhe Pasiguria Publike: Përdorimi i Destabilizimit Ekonomik, Psikologjik dhe Social si...
    Të tjera
    Lajme29 Mars 2025
    Bisedimet për të krijuar koalicionin e ri qeverisës të Gjermanisë kanë hyrë në një fazë kritike. Partia fituese, Unioni Kristian Demokrat (CDU),...
    Lajme29 Mars 2025
    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar dëshmorin e kombit, Bujar Shalën nga Raushiqi i Pejës. Haradinaj thotë se sakrifica e Shalës...
    Lajme29 Mars 2025
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një hartë, në të cilën paraqitet përqindja e partive politike e marrë në zgjedhjet parlamentare...
    Sport29 Mars 2025
    Ferizaj ka arritur fitore ndaj Dukagjinit me rezultat 2-1, ndërsa sfida mes Llapit dhe Ballkanit ka përfunduar pa fitues. Të dy ndeshjet kanë...
    Lajme29 Mars 2025
    Presidentja Vjosa Osmani, mbrëmjen e së premtes ishte pjesë e iftarit në Shtëpinë e të Moshuarve në Suharekë, me ftesë të humanistit,...
    Bota/Rajoni29 Mars 2025
    Kryeministri Rama tha se gjatë qeverisjes së tij janë dhjetëfishuar investimet në ushtri. Ai theksoi se sot pagat në ushtri janë më...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.