×
  • Opinione
  • Opinione

    Perëndimi i Kurtit

    Bekim Çollaku
    06 Shkurt 2025

    Shkruan: Bekim Çollaku

    Shtetet perëndimore kanë investuar shumë për ta instaluar Kurtin në pushtet. Në shërbim të këtij qëllimi, duke izoluar qytetarët e Kosovës për më shumë se dhjetë vite, arritën të rrisin zhgënjimin për institucionet dhe udhëheqësit shtetërorë. Pastaj, imponuan themelimin e Gjykatës Speciale mbështetur në një raport të pabazuar, të gatuar nga Rusia dhe Serbia. Sikur të mos mjaftonte njollosja e Kosovës, në fund fare, e eliminuan nga skena politike kundërshtarin e vetëm të denjë të Kurtit- ish presidentin Hashim Thaçi. Këto veprime kanë qenë “thikë pas shpine” për Kosovën e vogël, e cila vazhdon të mbetet një laborator ndërkombëtar. Fatkeqësisht, entuziazmi i perëndimit brenda një periudhe të shkurtër u zëvendësua me zhgënjim ndaj Kurtit. Mirëpo, dëmi që iu shkaktua Kosovës vështirë së do të mund të rikuperohet. Mungesa e zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja është një dëm i vogël krahasuar me dëmin që i është bërë Kosovës në aspektin e funksionimit demokratik dhe ruajtjes së sistemit kushtetues unitar. Duke e vendosur “Zajdnicën” në thelb të marrëveshjes, Kurti me meritë u bë edhe “baba” i saj. Tani kjo marrëveshje gërryen themelet e shtetit tonë.

    Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, zgjedhje të cilat tashmë po përshkruhen si më vendimtaret që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Qytetarët ndodhen para një udhëkryqi kritik, i cili do të përcaktojë se a do të mbetet Kosova një shtet demokratik i bazuar në rend kushtetues dhe respektimin e ligjit, apo do t’i dorëzohet ambicies autokratike të Kurtit, i cili po kërkon pushtet absolut për të “ndryshuar rendin kushtetues aktual” sipas tekave të tij.

    Gjatë katër viteve të fundit, qeverisja Kurti është karakterizuar nga një performancë e dobët dhe pa rezultate të matshme. Për më tepër, skandalet korruptive si asnjëherë më parë, kanë përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes. E megjithatë, Kurti, pa fije turpi, po iu kërkon qytetarëve 500K vota, një shumicë dërrmuese e cila do t’i siguronte atij një pushtet absolut. Kjo kërkesë absurde, sipas arsyetimit të tij, do ta fuqizonte atë për të “shtypur opozitën si mizat”, siç ka deklaruar publikisht vetë. Pra, Kurti betejën e ka me opozitën dhe jo me Serbinë. Një gjuhë e tillë agresive dhe fyese ndaj kundërshtarëve politikë na kujton praktikat më të këqija të regjimeve autoritare, jo vlerat e një sistemi demokratik. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se në demokraci, opozitë nuk janë vetëm kundërshtarët politikë në parlament, por para së gjithash vetë votuesit. Asnjë lider i zgjedhur nga populli nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet apo t’i realizojë krejt premtimet. Prandaj, opozita ekziston dhe duhet të ekzistojë si një mekanizëm kontrolli dhe alternativash. Mirëpo, Kurti, i cili kryeson një qeveri të sanksionuar nga partnerët ndërkombëtarë, duket se i ka harruar këto parime themelore.

    Bazuar në fushatën zgjedhore të deritanishme, është e sigurt se realiteti elektoral nuk do ta përmbushë tekën e Kurtit për shumicë absolute. Në fakt, bazuar nga matjet e shumta qofshin ato profesionale apo jo, është e sigurt se nuk mund të ketë fitues absolut në këtë zgjedhje. Në skenarin më të mirë, Kurti synon të fitojë gjysmën e asaj që kërkon, pra rreth 250K. Në skenarin më të keq për të, ai do të jetë një humbës. Por, si duket, në cilindo skenar, ai dhe partia e tij do të jenë humbësit më të mëdhenj në këto zgjedhje.

    Rezultati i zgjedhjeve do të imponojë koalicion paszgjedhor, dhe kjo do të jetë shpresa e fundit e Kurtit për mbijetesë politike. Prandaj, atij nuk i ka mbetur rrugë tjetër përveç se të fërkojë duart dhe të lutet se ndonjëri nga liderët opozitarë do të mund të përfundojë në “prehrin e ftohtë” të tij. Deri tani, liderët kryesorë të partive opozitare janë treguar të kujdesshëm në deklarata, duke theksuar se qëllimi i tyre është një qeveri e përbërë vetëm nga forcat opozitare. Por prapa kësaj dëshire qëndron ambicia e secilit për t’u bërë vetë kryeministër, duke e bërë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje unifikuese pas përfundimit të zgjedhjeve.

    Në këtë fazë të fushatës elektorale, është e qartë se Bedri Hamza i PDK-së është kandidati më i preferuar i votueseve për t’u bërë kryeministër i ardhshëm. Mirëpo, mbetet akoma e paqartë nëse ai do të mund ta fitojë besimin e atyre që ende janë të papërcaktuar dhe të sigurojë që pelqyeshmëria e votuesve ndaj tij të konvertohet në votë edhe për PDK-në. Në anën tjetër, LDK dhe kandidati i saj Lumnir Abdixhiku këmbëngulin se bëhen pjesë e koalicioneve paszgjedhore vetëm nëse udhëheqin me postin e kryeministrit. Ndërsa, lideri i një partie tjetër opozitare, Ramush Haradinaj, me një fuqi modeste elektorale, ka propozuar një “model rotativ” për postin e kryeministrit, si një kompromis mes ambicieve.

    E gjithë kjo reflekton mungesën e një strategjie të qartë për ndryshimin e madh që opozita pretendon se do të sjellë. Kosova është në një udhëkryq kaq të rëndësishëm, ndërkohë që kampi opozitar duket se po e shikon veten përmes lenteve të interesit personal ose partiak, në vend që të përqendrohet tek interesi më i gjerë publik e shtetëror. Momenti i së vërtetës së përmbajtjes nga tundimi fillon me 10 shkurt 2025. Në këtë pikë, do të jemi dëshmitarë të sfidës kryesore: a do të ruajnë parimet e tyre liderët opozitarë, apo a do të bien pre e joshjes nga pushteti? Nëse njëri nga ta i hap derën Kurtit, ai do të ruajë pushtetin, qoftë si kryeministër apo qoftë për të manovruar më vonë drejt postit të Presidentit në vitin 2026. Një skenar i tillë, ia siguron mbijetesën politike atij pavarësisht dëshirës së shumë qytetarëve për një ndryshim të rrënjësishëm.

    Në anën tjetër, skenari i një qeverie pa Kurtin – pra një aleancë e partive opozitare – mund të bëhej realitet vetëm nëse të tre liderët lënë mënjanë ambiciet e tyre personale dhe gjejnë një ekuilibër, jo vetëm për postin e kryeministrit, por edhe për presidencën që do të vihet në diskutim më vonë. Kjo kërkon pjekuri politike, sakrificë personale dhe fokusim në interesin e gjerë shtetëror. Por frika ekziston dhe mjerisht, ambiciet individuale shpesh i tejkalojnë interesat e përgjithshme.

    Prandaj, votuesit e Kosovës kanë përpara një zgjedhje jetike: a do të lejojnë ata që demokracia e vendit të rrëshqasë në autoritarizëm, apo do të insistojnë për ndryshim e përgjegjësi politike? A do t’i ndëshkojnë me votë ata që qeverisën keq dhe i ekspozuan qytetarët e vendin ndaj sanksioneve ndërkombëtare, apo do t’u japin një “shans të dytë” komod, me pushtet pothuajse absolut?

    Me 9 shkurt 2025, vija ndarëse mes demokracisë dhe autoritarizmit nuk do të jetë kurrë më e qartë. Në një vend normal dhe tërësisht demokratik, përgjigjen për këtë pyetje do ta jepte vetë populli përmes votës së lirë e të përgjegjshme. Mbetet të shihet nëse qytetari i Kosovës do ta kërkojë ndryshimin, apo do të lejë derën hapur pikërisht për atë çfarë Kurti e ka kërkuar me arrogancë: një pushtet të pakufizuar, i cili do ta transformonte Kosovën nga një demokraci e brishtë në një shtet me tendenca autokratike. Kjo do të ishte humbje, jo vetëm për opozitën, por për të gjithë shoqërinë kosovare që ka sakrifikuar aq shumë për liri dhe demokraci.

    Nga Rubrika
    Opinione21 Mars 2025
    Nga akademik, prof, dr. Anastas Angjeli Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë...
    Opinione20 Mars 2025
    Nga: Ditmir Bushati Java që sapo lamë u mbyll me protesta të fuqishme anembanë Europës. Serbët, hungarezët dhe gjeorgjianët dolën masivisht në...
    Opinione19 Mars 2025
    Nga: Lutfi Dervishi Babai i Hashim Thaçit do të varroset pa praninë e të birit. Gjykata Speciale nuk i ka dhëne leje...
    Të tjera
    Lajme21 Mars 2025
    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme një ankesë lidhur me procesin zgjedhor të postave të ardhura me postë pasi ia hodhi...
    Kronika21 Mars 2025
    Dy persona janë arrestuar sot pasi më 8 mars kishin vjedhur në një market gjësende në vlerë të 400 eurove, në rrugën...
    Lajme21 Mars 2025
    Ish-presidenti Hashim Thaçi pas qëndrimit në Burojë të Skenderajt, me përcjellje të EULEX-it është sjellë në selinë e misionit ndërkombëtar të sundimit...
    Lajme21 Mars 2025
    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.V. dhe M.V. të nacionalitetit serb, dhe A.Ç. të nacionalitet boshnjak, pasi...
    Lajme21 Mars 2025
    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata...
    Lajme21 Mars 2025
    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar një video sqarim për opinionin pasi njësiti i Krimeve Ekonomike kanë zbarkuar në Zyrën e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.