Të martën (nesër) do të zhvillohet përballja e tretë e finaleve të “Play-offit” në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Yllit.
Skuadra nga Theranda ka fituar dy ndeshjet e para dhe i mungon edhe një fitore për tu shpallur kampion, që do të ishte i pari në histori të klubit, përcjell FrontOnline.
Ndërkohë, pejanët hyn për fitore për të ngushtuar serinë në 1:2, ku do të rikthehet edhe AJ Walton, i cili ishte i suspenduar.
Ndeshjen e parë e fitoi Ylli në Pejë 75:83, kurse sfidën e dytë e fitoi në shtëpi 75:73, me një fund dramatik.
Për Yllin do të ishte titulli i parë në histori, derisa pejanët kërkojnë titullin e gjashtë. Skuadra nga Theranda këtë edicion fitoi Ligën Unike, duke mundur në finale pikërisht Pejën dhe po e kërkon trofeun e dytë në këtë edicion.
Peja në çerekfinale kishte mundur Sigal Prishtinën 2:1, derisa në gjysmëfinale u përballë me Prizrenin, ku kaluan në finale me serinë 3:2, pasi takimi i fundit ishte ndërprerë pas pjesës së parë dhe u takoi pejanëve me rezultat zyrtar 20:0.
Ylli në çerekfinale eliminoi Bashkimin 2:1, edhe pse humbi sfidën e parë, ndërsa në gjysmëfinale pas pesë sfidave shumë interesante eliminoi Rahovecin 3:2.
Ndeshja Peja – Ylli zhvillohet të martën nga ora 20:15./FrontOnline/