Mbi 100 kërkesa kanë shkuar në zyre të Presidentes Vjosa Osmani, me të vetmin qëllim, që ajo të i falë një pjesë të dënimit të mbetur te të burgosurve në burgjet e Kosovës ose të ia falë dënimin e mbetur.
Por, pavarësisht kësaj dhe pavarësisht qindra kërkesave, për të tretin vit radhazi, Presidentja Vjosa Osmani, ka vendosur të mos e fal asnjë të burgosur, derisa arsye deri më tani nuk ka.
Njohësit e drejtësisë, e shohin si shkelje te të drejtave të njeriut, derisa kërkojnë nga e para e shtetit që ta përdor ligjin dhe të drejtën Kushtetuese për t’i falur të burgosurit, pasi që sipas tyre, ky vendim do i inkurajonte të burgosurit për risocializim brenda burgut.
Ish-Presidenti Sejdiu për mos faljen e të burgosurve nga Presidentja Osmani: Përgjegjësinë e ka secili për vete
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për Front Online, e ka komentuar shkurt veprimin e Presidentes Vjosa Osmani, e cila deri më tani nuk e ka falur asnjë të burgosur, përkundër shumë kërkesave që kjo e fundit ka nga të burgosurit por edhe nga familjarët e tyre.
Ish-Presidenti Sejdiu, thotë se përgjegjësinë e mbanë secili për veti.
“Përgjegjësinë e ka secili për vete’’ tha shkurt ish-i pari i vendit, Fatmir Sejdiu, kur u pyet se si e sheh mos faljen e të burgosurve nga Presidentja Osmani.
Ish-drejtori i burgjeve pyet Osmanin: A e lexon Kushtetutën, që kanë të drejtë të burgosurit të kërkojnë faljen e dënimit?!
Ish-drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, për Front Online ka komentuar veprimet e Presidentes Vjosa Osmani, për moslejimin e faljes së dënimit për të burgosurit, duke e cilësuar këtë veprim si anti-ligjor. Ai theksoi se jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitin e kaluar, të burgosurit janë të paditur për të pasur mundësi të garojnë për falje, pavarësisht se disa prej tyre e meritojnë këtë për shkak të sjelljes së mirë.
‘’Jo vetëm për këtë vit por edhe vitin e kaluar është e paditur dhe kjo është anti ligjore se të burgosurit kanë të drejtë me konkurruar për fajin e dënimit dhe normal që ata të cilët e meritojnë dhe kanë sjellje të mira ata duhet të ju jepet dhe falja e dënimit’’ thotë Zogaj.
Zogaj shtoi se ka pasur reagime edhe nga organizatat për të drejtat e njeriut, dhe se është shumë e rëndësishme që të respektohen të drejtat ligjore të burgosurve.
‘’Me konkurruar afër 100 persona dhe mos të bisedohet për asnjë burgosur që e meritojnë është shumë e rëndësishme se ndikon tek të burgosurit dhe është e drejtë ligjore që ka pasur reagime edhe nga organizatat e të drejtave të njeriut është shumë gabim i madh’’ potencoi Zogaj për Front Online.
Sipas tij kjo lejohet edhe me Kushtetutë.
‘’A e lexojnë Kushtetutën që kanë të drejtë të burgosurit të kërkojnë faljen e dënimit’’ përfundoi ai.
Ish-kryetari i Apelit: Osmani nuk po e përfill ligjin për faljen e të burgosurve, ai ligji është në kuptimin human
Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, për Front Online, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për mosshfrytëzimin e të drejtës për falje te të burgosurve.
‘’Siç duket nuk po e përfill ligjin presidentja se ai ligji për faljen është në kuptimin human se presidentja si personi numër një i Kosovës e shfrytëzon këtë të drejtë të faljes së fajit të burgosurve të cilët janë të dënuar me dënim burgu është një komision në kuadër të presidencës dhe ai i rekomandon presidencës për faljen e ndonjë të burgosurit’’ thotë ai.
Shala ka theksuar se kjo e drejtë është një praktikë humanitare, e njohur dhe e zbatuar në shumë shtete të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka falur dhjetëra të burgosur.
“Biden 20-30 të burgosur me vdekje i fali dhe s’ka asgjë të keqe që presidenca të shfrytëzojnë këtë të drejtë që ti falin personat e burgosur të cilët e meritojnë’’ shtoi ai.
Sipas tij, si presidentja, ashtu edhe komisioni i presidencës, duket se janë në një qëndrim të përbashkët për të mos shfrytëzuar këtë mundësi.
‘’Siç dukët edhe presidentja edhe komisioni janë në një fjalë që mos ta shfrytëzojnë këtë të drejtë në kuptimin e ligjit se ky është në krejt botën dhe zbatohet. Presidenca nuk po e shfrytëzon këtë të drejtë’’ theksoi ish-kryetari i Gjykatës së Apelit për Front Online.
Avokati Jashari: Presidentja Osmani duhet të ushtrojë të drejtën për falje për të Inkurajuar risocializimin e të burgosurve
Avokati Arbër Jashari për Front Online, ka folur mbi temën e faljes së të burgosurve nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar rëndësinë dhe mundësitë që falja ofron brenda sistemit juridik. Ai shpjegon se falja është një instrument juridik i njohur, që mundëson uljen e dënimeve për individë të caktuar ose lënien e tyre të lirë.
“Falja është një institut i vjetër juridik, që nënkupton nxjerrjen e një akti më anë të cilit persona të caktuar lirohen plotësisht apo pjesërisht nga ekzekutimi i dënimit përfundimtar të gjykatës, apo zëvendësimi i tij me ndonjë dënim më të butë’’ thotë ai.
Jashari përmend që, sipas Kushtetutës së Kosovës, e drejta për falje i takon Presidentit, dhe ai e inkurajon Presidenten Osmani që të ushtrojë këtë të drejtë më shpesh, në mënyrë përgjegjëse dhe dinjitoze, pa u frikësuar nga mundësia e paragjykimeve nga publiku.
‘’Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 29, e drejta për të falur personat që janë në vuajtje të dënimit, i përket Presidentit të Republikës së Kosovës. Mendoj që Presidentja e Kosovës, pavarësisht për kë bëhet fjalë, duhet që këtë të drejtë që ja ka dhënë akti më i lartë juridik i shtetit, ta ushtroj sa më shpesh që është e mundur, në mënyrë të përgjegjshme e dinjiteteshme, pa friken se mund të paragjykohet nga opinioni publik, ose mund të mos kuptohet drejtë. Mbase kjo është arsyeja që presidentja nuk po falë askënd’’ deklaroj Jashari.
Sipas tij, kjo mund të shërbejë si një motivim për ata që vuajnë dënime, duke kontribuar në procesin e përmirësimit dhe kthimit të tyre në shoqëri.
”E drejta për të kërkuar falje, është e drejtë e të burgosurve dhe me aplikimin e faljes, inkurajohen të burgosurit që të jenë më të përkushtuar, në zbatimin e programeve brenda institucioneve korrektuese, që kanë për qellim risocializimin dh riintgrimin e tyre’’ deklaroi avokati Jashari.