Shkruan: Blerim Shala
Njeriu bën plane. Zoti qeshet me to.
Kjo thënie është e vjetër sa Njeriu, teksa kur flitet për Zotin, ai nuk matet dot me kohë.
Neve na përkufizon koha. Atë amshimi.
Kështu së paku besojmë dhe mendojmë ne.
Thënia e njohur për të gjithë pra, ka shumë kontekste, njëri prej të cilëve gjithsesi është historik dhe politik.
Sa planet i bëjnë qeveritë dhe pushtetet, për ta ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e historisë, për ta krijuar, thënë ndryshe, një ‘shtrat’ tjetër për këtë rrjedhë, shumë më të volitshëm për atë shtet, e në fund, proceset marrin një drejtim që është në kundërshtim të plotë me ato synimet nismëtare të këtyre planeve.
Shembulli më i ri që e dëshmon që historia rëndom sillet ndryshe fare prej planeve tona, e dëshmon rënia e Damaskut, këtë të diele (8 dhjetor), në duart e forcave siriane të rezistencës, dhe ikja nga kryeqyteti i Sirisë i Bashar al-Assadit, i cili në trembëdhjetë vitet e kaluara mbeti në pushtet duke vrarë popullin e vet, me përkrahjen e madhe të Iranit dhe Rusisë.
Një luftë pothuaj e harruar, e nisur në vitin e largët 2011, në një përplasje brenda dukurisë së emërtuar si ‘Pranvera arabe’ (më vonë do të kuptohet se ky ishte një titullim krejtësisht i gabuar i SHBA-së dhe Evropës), u ringjall pak javë më parë, teksa një
pushtet që supozohej që do të qëndrojë për një kohë të gjatë, ra me atë ‘efektin domino’ (qytetet, njëri pas tjetrit).
Kush ka mundur ta supozojë një gjë të tillë?
Por ja si ia nisi e tëra, për të arritur me datën 8 dhjetor të vitit 2024.
Planet e Amerikës për tu tërhequr mbarë dhe mirë ushtarakisht nga Afganistani, në gushtin e vitit 2021, duke lënë prapa një armatë prej qindra mijëra ushtarësh të këtij shteti të përgatitur për 22 vjet rresht nga oficerët e ushtrisë më të fuqishme në Botë (dhe në historinë e njerëzimit), u bënë shkrumb e hi brenda pak ditësh.
Ky ishte alarmi që u përhap në të katër anët e Botës, me një ndalesë të veçantë në Kremlinin e Vladimir Putinit.
Putin do t’i rreket hartimit të planeve të tij për ta pushtuar Ukrainën. Bindja e tij ishte që Amerika po bie, dhe që Rusia duhet të ri-çohet aty ku ka qenë në atë trajtën si Bashkimi Sovjetik, i cili u shemb në vitin 1991.
Për më shumë, edhe prijësit e Kinës dhe Iranit nisën t’i përgatisin planet e tyre që do t’i qepeshin kësaj tatëpjete të pandalshme të Amerikës (në analizat e Teheranit dhe Moskës).
Një herë pra nisi lufta në Ukrainë (në shkurtin e vitin 2022), pastaj, 19 muaj më vonë (në tetorin e vitit 2023), shpërtheu edhe lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit në njërën anë, dhe Izraelit dhe Hezbollahut në anën tjetër.
Në te dy këto raste të luftërave të përgjakshme, u kuptua, prej të gjitha palëve të interesuara që SHBA-ja, e Administratës së Presidentit Biden, nuk e ka ndërmend të heq dorë nga roli i saj në skenën politike ndërkombëtare.
Mund të merret lehtë me mend se çka do të ndodhte në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme pa Amerikën.
Dobësimi i madh i Hezbollahut në Liban si dhe refuzimi evident (për shkak të dobësisë politike dhe ushtarake) i Iranit për t’u përfshirë në një luftë të madhe me Izraelin (lexo: SHBA-në), krijoi rrethana të reja në Siri të cilat i panë dhe i shfrytëzuan forcat e rezistencës siriane.
Kësaj radhe, jo vetëm Irani, por as Rusia nuk ishte në gjendje të ndihmojë në mënyrë substanciale regjimin e Assadit, siç pati bërë prej vitit 2015 e këndej.
Rusia e Putinit nuk ka kohë fare të merret me Sirinë, kur dihet që në Ukrainë po synon të marr sa më shumë territore për ta forcuar pozicionin e saj para negociatave të pashmangshme për ndaljen e luftës në Ukrainë.
Nëse në Siri krijohet një pushtet i ri i cili do të reflektojë përbërjen etnike dhe fetare të këtij shteti, e cila gjë në rrethanat më të reja duket e mundshme, teksa prapakthimet në këtë proces nuk mund të përjashtohen (nëse i përmbahemi mësimeve fillestare të përmendura në krye të këtij shkrimi), atëherë, roli i Iranit në Siri dhe në Liban do të nisë të zbehet, gjë që është interes i dorës së parë i SHBA-së.
Kjo rrjedhë e historisë që nisi në Kabul e përfundoi (tash për tash), në Damask, nuk ka mundur ta planifikojë askush.
Kjo është e qartë.