Mbi 12 milionë euro kanë arritur shpenzimet e udhëtimit dhe telekomunikimit të institucioneve shtetërore vetëm për nëntë muaj të këtij viti, përkatësisht nga janari deri në shtator, raporton portali “FrontOnline”.
Sipas raportit nëntë mujor financiar të Ministrisë së Financave, shpenzimet e udhëtimit gjatë periudhës janar-shtator 2024 kanë arritur në 8.44 milionë euro, të cilat janë për 17 % më të larta sesa në periudhën e njejtë të vitit të kaluar.
Ndërsa shpenzimet e telekomunikimit gjatë periudhës janar-shtator 2024 kanë shkuar në 3.75 milionë euro, apo 4% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton Front Online.
Duda Balje: Është shumë serioze, institucionet kompetente duhet t’i kontrollojnë shpenzimet e Qeverisë
Deputetja Duda Balje, për FrontOnline, ka komentuar shpenzimet e Qeverisë për udhëtime dhe telekomunikim.
Ajo theksoi se, krahasuar me Kuvendin, Qeveria ka më shumë mundësi dhe liri në realizimin e shpenzimeve, por shprehu besimin se shpenzimet janë bërë për arsye të mira dhe të justifikuara.
‘’Kuvendi me Qeveri ka shumë dallim se ne jemi të kufizuar ne nuk mund të bëjmë asnjë shpenzim jashtë rregullores së Kuvendit dhe për Qeveri po dua të besoj se kanë ditë çka po bëjnë dhe me arsyetime kanë shpenzuar shuma serioze’’, tha ajo.
Balje shtoi se ajo nuk ka qenë pjesë e Qeverisë dhe se nuk është në dijeni të detajeve të këtyre shpenzimeve, por beson se ato janë kryer, siç thotë, për interes të Kosovës.
‘’Unë po pres edhe nga VV që kanë ditë çka po bëjnë dhe dua të besoj që të gjitha shpenzimet kanë qenë me arsyetime të logjikshme. Është shumë serioze, s’kam qenë pjesë e Qeverisë dhe nuk e dijë sa kanë drejtë të shpenzojnë’’ shtoi Balje.
Deputetja Balje, apeloi që institucionet kompetente të kryejnë një kontroll të detajuar për të verifikuar nëse shpenzimet janë bërë në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme.
‘’Institucionet kompetente duhet të kontrollojnë të gjitha këto ta dimë a kanë pas të drejtë’’ u shpreh Balje.
Shala: Shpenzimet e Qeverisë Kurti janë 30% më të larta se ato të qeverive të kaluara
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kritikoi Qeverinë për rritjen e shpenzimeve të parasë publike, duke theksuar se statistikat zyrtare tregojnë një rritje të konsiderueshme të këtyre shpenzimeve, përkatësisht 25-30% më të larta se qeveritë e kaluara, duke shtuar se kjo është kontradiktore me propagandën e Qeverisë, e cila kishte kritikuar shpenzimet e qeverive të mëparshme.
‘’Statistikat zyrtare tregojnë që Qeveria ka ngritur nivelin e shpenzimit të parasë publike ku të njëjtit kanë ardhë në pushtet duke bërë propagandë të madhe që Qeveritë e kaluara kanë shpenzuar jashtë normës e realisht që 25-30% janë shpenzime më të larta se qeveritë e mëhershme’’, tha Shala për FrontOnline.
Shala e quajti të paarsyeshme këtë rritje shpenzimesh, duke theksuar se ato nuk janë të justifikuara nga arsyet diplomatike ndërkombëtare ose nga problemet ekonomike.
‘’Këto janë të paarsyeshme dhe nuk rezultojnë me arenën ndërkombëtare diplomatike, qoftë me problemet ekonomike’’ potencoi Shala.
Sipas deputetit të PDK-së, këto shpenzime nuk kanë sjellë rezultate konkrete për përmirësimin e situatës dhe se janë përdorur për shëtitje të stafit politik dhe të Qeverisë, pa ndonjë përfitim të prekshëm.
‘’Qeveria ka shpenzuar, por nuk ka sjellë rezultat. Kemi shpenzuar para, por rezultat të shëtitjeve të stafit politik dhe qeverisë s’kemi pas’’ përfundoi Shala për FrontOnline.
Rukiqi akuzon Qeverinë për vazhdimin e luksit qeveritar pa përfitime për vendin
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, për FrontOnline, ka kritikuar Qeverinë Kurti, për shpenzimet e saj në udhëtime dhe telekomunikime, duke thënë se ajo ka krijuar pritje të mëdha për ndryshime, por nuk ka arritur të sjellë rezultate të dukshme.
‘’ Kjo Qeveri ka krijuar pritje të mëdha’’, tha ai.
Ai theksoi se Qeveria ka ardhur në pushtet me kritika për luksin qeveritar, por sipas tij, nuk është bërë asnjë ndryshim substancial në këtë drejtim.
‘’Ka ardhur me kritika për luksin qeveritar, nuk është se ka ndryshuar diçka’’ u shpreh Rukiqi.
Rukiqi e quajti këtë situatë edhe më problematike pasi, siç u shpreh ai, shpenzimet e tilla nuk kanë sjellë rezultate konkrete, as në politikën e jashtme dhe as në nxitjen e investimeve strategjike që ishin pritur të kontribuonin në zhvillimin e vendit.
‘’ Sigurisht kjo bëhet edhe më problematike se nuk është ndonjë rezultat, as të asaj të politikës së jashtme, as asaj të nxitjes së investimeve strategjike që do të duhej të i sillnin vendit’’ deklaroj Rukiqi për FrontOnline.