Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot ambasadorët e vendeve të QUINT-t dhe përfaqësuesin e BE-së, me të cilët ka diskutuar bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Takimi vjen pak ditë pasi vendet e QUINT-it dhe BE-ja kritikuan Hotin për shuarjen e Task-Forcës kundër-korrupsion, njësi që ishte në kuadër të Policisë së Kosovës.
“Kryeministri Hoti u shpreh i vendosur për të fuqizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe tregoi gatishmërinë e tij për të punuar së bashku në këtë drejtim me qeveritë e vendeve anëtare të QUINT-it”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Task-Forca ishte vlerësuar për punën e saj nga organizatat dhe vendet e huaja, por kështu nuk mendoi edhe Hoti.