Dy javë janë bërë prej se ka filluar gjysmë vjetori i dytë në shkollat e Kosovës. Gjatë kësaj periudhe në shkollat e Gjilanit përfshirë edhe ato parashkollore nuk është raportuar asnjë rast me COVID-19. Kështu kanë bërë të ditur nga Komuna e Gjilanit.
“Komuna e Gjilanit ka njoftuar se që prej fillimit të gjysmë vjetorit të dytë, asnjë rast i infeksionit me COVID-19 nuk është regjistruar në shkollat e kësaj Komune, duke përfshirë institucionet parashkollore, shkollat fillore e të mesme”, thuhet në njoftimin e komunës.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, ka bërë thirrje për kujdes të vazhdueshëm, në mënyrë që shkollat të mbahen të hapura dhe të parandalohet mësimi online.
“I lumtur që në shkollat e Gjilanit gjendja është stabile me Covid-19 dhe nuk kemi të shënuar raste që nga fillim i periudhës së dytë mësimore, edhe pse shkollat e mesme të ulta, procesin mësimor në e zhvillojnë me orar të rregullt dhe të plotë”, ka thënë Gagica.