Një në dhjetë persona janë bërë pishman për gjërat që kanë blerë gjatë periudhës së pandemisë, duke përfshirë produkte për të krijuar diçka nga fillimi, apo pajisje për ushtrime fizike.
Izolimet e nxitura nga vala e parë e pandemisë së koronavirusit, kanë rezultuar me rekord të shitjeve të disa produkteve, në mënyrë që njerëzit të shijojnë kohën në oborre apo në hapësirat e brendshme.
Tani disa prej tyre janë penduar, duke e pranuar se kanë shpenzuar mijëra dollarë në pajisje të ndryshme.
Për pasojë, shumë gjëra të shtrenjta tani kanë mbledhur pluhur.
Pajisje për shtëpi
Lojëra të ndryshme, pajisje për ushtrimë fizike, biçikleta, veshje, bizhuteri, instrumente muzikore, pajisje për kuzhinë sikurse ato për të gatuar bukën, më pas mobilje kopshti dhe furra për pica, janë disa prej produkteve që njerëzit do të donin të mos i kishin blerë, ka thënë kompania britanike e sigurimeve, Aviva.
Disa kanë shfrytëzuar paratë që do të ndanin për pushime apo festa, derisa të tjerë kanë tentuar që në periudhën e izolimit të merren me diçka të re.
Nicki Charles, drejtor i marketingut në Aviva ka thënë se shumë gjëra kanë ndryshuar prej vitit 2020.
“Mënyra si punojmë, si komunikojmë me të tjerët dhe duket se kanë ndryshuar edhe gjërat që kemi në shtëpi”.
Ai ka thënë se të përballur me javë dhe muaj në shtëpi, shumë persona kanë bërë blerje për ta argëtuar veten, duke përfshirë gjëra në vlerë të qindra apo mijëra dollarëve, transmeton BBC.
Në muajin gusht, një tjetër kompani sigurimesh -Zurich – ka thënë se janë rritur për 16 për qind raportimet për dëme nga zjarri, në krahasim me vitin 2019.
Sipas kompanisë, mbrapa zjarrit kanë qenë furrat për pica, shndërrimi i ambienteve shtëpiake në bare për pije, apo në ambiente të punës. /REL