Komuna e Pejës është në radhën e atyre komunave që janë futur në zonën e kuqe të rrezikshmërisë së pandemisë, prandaj nga e premtja do të futet në orë policore.
Kjo komunë sot pati edhe numrin më të madh ndonjëherë të të infektuarve me koronavirus që nga fillimi i pandemisë me 59 raste, njofton Klan Kosova.
Nënkryetari i kësaj komune, Fatmir Asllani, po thotë se masat e reja të normalisht se do t’iu pengojnë qytetarëve dhe biznese, por se edhe autoritetet komunale pajtohen se shëndeti është para të gjithave.
“Kjo është një pengesë sidomos për bizneset dhe nuk e mirëpresin këtë vendim sepse kemi pasë kontakte joformale me ata, por që Qeveria e ka konsideruar që shëndeti i qytetarëve është më i rëndësishëm”.
Asllani në Info Magazine tregoi se komuna ka aktivizuar shtabet emergjente që nga fillimi i pandemisë dhe se po ashtu aktive janë edhe qendrat operative dhe task-forcat e komunës.
Nënkryetari i Pejës për rritjen e rasteve përgjegjës po i lë edhe vetë qytetarët, që tha se kohët e fundit nuk i janë përgjigjur shumë thirrjeve të tyre për zbatim të rekomandimeve dhe se lëvizja ka qenë më pak e kontrolluar.
Por sa mund komuna që t’iu ndihmojë bizneseve?
“Ne e kemi të pamundur të ndihmojmë bizneset, por i kemi liruar nga pagesa për shfrytëzimin e hapësriave të jashtme publike që të mos i ngarkojmë edhe me këtë, si dhe lehtësira tjera nga Qeveria, me të cilën bashkërisht po mundohemi që t’i përmbahemi vendimeve që i merr Qeveria”.