Kuvendi i Republikës së Kosovës, nesër do i mbajë dy seanca. E para do të jetë fjalimi vjetor i Presidentës së shtetit, Vjosa Osmani, drejtuar deputetëve të Kuvendit, i cili fillon në ora 09:30 dhe seanca e dytë do të jetë Shqyrtimi i dytë i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Partia më e madhe opozitare në vend, PDK ka konfirmuar pjesëmarrjen në dy seancat e nesërme, derisa thonë se mund ta lëshojnë sallën, në rast se fjalimi i Presidentës Vjosa Osmani, nuk është korrekt dhe nuk thuhen gjërat siç janë e po ashtu nëse në këtë fjalim nuk ka falënderime dhe nderime ndaj atyre që kanë dhënë kontribut dhe merita për Kosovën.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, për FrontOnline, thotë se do të qëndrojnë në sallë dhe nëse Presidentja Vjosa Osmani, krijon rrethana që me fjalimin e saj të mos jetë korrekte edhe mund ta lëshojnë sallën.
‘’Është standard vjetor, do të jemi në sallë. Uroj që ajo të mos i krijojë rrethanat që me qëndrimin e vet mos me ia respektuar fjalimin ose me menduar edhe qëndrimin në sallë. E cilat janë këto? Mos raportimi korrekt, nëse nuk thuhen gjërat siç janë ose nëse nuk bën falënderime dhe nderime për ata që kanë dhënë më së shumti merita’’ thotë ai.
Berisha, shpreson se Presidentja Osmani sipas tij tashmë ‘’ka mbledhur mend’’, pasi që sipas tij deri më tani ka qenë ‘’marionetë’’ e kryeministrit Albin Kurti.
‘’Besoj se tash ka mbledhë mend dhe se ka qenë një marionetë e keqpërdorur dhe e manipuluar nga kryeministri Kurti dhe tash besoj se do ta ndërroj edhe gjuhën, këtë uroj se do ta bëjë edhe ndaj opozitës, ndaj të cilëve ka pasur gjithmonë gjuhë jo korrekte. Tash do të mundohet të hiqet nga kthetrat anti-shtet të Kurtit, mirë po për mendimin tim, por ajo nuk mund të dalë nga përgjegjësia që ka pasur deri më tash.’’ thotë ai.
Deputeti Berisha, ka folur edhe për seancën tjetër, ku do të diskutohet mbi projekt buxhetin për vitin 2025, duke konfirmuar pjesëmarrjen edhe në këtë seancë.
”Ne me siguri që do të jemi në sallë. Shërbimin e parë kam thënë se nuk duhet shqyrtuar fare këtë buxhet” tha ai për FrontOnline.