Leutrim Retkoceri, shefi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, ka reaguar ndaj akuzave të drejtorit të Shërbimeve Publike në Kryeqytet, Bekim Brestovci, siç tha ai, kthim në gjendjen e mjerueshme të qytetit në raport me pastrimin.
Retkoceri, në një postim në Facebook, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’i keqpërdorin paratë që shkojnë për KRM “Pastrimi”.
“Interesi publik mbi të gjitha! Kuvendi i Kryeqytetit i tha po mbrojtjes së ndërmarrjes publike, duke kryer detyrën që ka për ta ndihmuar ardhjen e pjesës së parë financiare prej 24.1 milionë euro nga total 70 milionë sa janë zotuar nga qeveria gjermane dhe BE për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet”.
“Ata që qeverisin sot me Prishtinën e me menaxhimin e mbeturinave që kanë qëllim falimentimin e ndërmarrjes publike KRM “Pastrimi” dhe janë të lidhur ngushtë me kompani private që i shpërblyen me miliona euro dhe kontrata njëburimore kanë arsye të shqetësohen, sepse as 24.1 milionë euro e as 70 milionë nuk do të mund t’i manipulojnë dhe t’ua shpërndajnë kompanive të ‘dostave’”, ka thënë Retkoceri.
Tutje, ai ka thënë se ndihma e madhe prej 70 milionë euro do të jetë reforma që i duhet pastrimit të regjionit të Prishtinës nga mbeturinat.