Sami Sërmaxhaj do të debutojë nesër (e shtune) në stolin e Drenicës në një ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme.
Pas dorëheqjes së Bledar Devollit, klubi nga Skënderaj e zëvendësoi atë me trajnerin e mirënjohur kosovar, Sami Sërmaxhaj, raporton FrontOnline.
Sërmaxhaj do të debutojë me Drenicën si trajner në ndeshjen ndaj Trepçës ’89 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skënderaj.
Drenica që rrezikon shumë rënien nga elita këtë edicion, e synon me çdo kusht fitoren në këtë ballafaqim të vështirë ndaj skuadrës nga Mitrovica.
Sami Sërmaxhaj në një bisedë me FrontOnline ka thënë se pauza ndërkombëtare i ka shërbyer mjaft mirë për t’u përgatitur për këtë ndeshje.
“Pauza e ndeshjeve ndërkombëtare na ka shërbyer mjaft shumë, Mendoj se kemi bërë përgatitjet e duhura për ndeshjen me Trepçën ’89, e cila është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka deklaruar ish-trajneri i Prishtinës dhe Ballkanit.
Sërmaxhaj tregon se për këtë ndeshje do t’i ketë katër mungesa – shkaku i lëndimeve.
“Kemi disa mungesa, por, me lojtarët që kemi në dispozicion besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv. Mziu, Hamiti, Elshani dhe Silva janë futbollistët që na mungojnë nesër”, përfundoi të premten për FrontOnline Sami Sërmaxhaj.
Ndryshe, ndeshja Drenica – Trepça ’89 luhet nesër (e shtune) me fillim nga ora 15:00./FrontOnline/