Presidenti i Francës, Emanuel Makron, e ka nxitur Rusinë që ta shtojë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit pas vrasjes së mësuesit francez, Samuel Paty, me një person me prejardhje nga Çeçenia, që është pjesë e territorit rus.
Komenti i presidentit francez u bë gjatë një bisede telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, i cili sulmin e së premtes afër Parisit e cilësoi si vrasje barbare, shkruan BBC, transmeton Front Online.
Makroni tha se dëshiron të shohë një bashkëpunim të forcuar mes Francës dhe Rusisë në luftën kundër terrorizmit dhe imigrimit ilegal, thuhet në njoftimin e presidencës franceze, pa dhënë hollësi të tjera nga biseda.
Në anën tjetër, Kremlini publikoi një deklaratë të shkurtër, ku Putini u citua të ketë thënë se të dyja palët e ritheksuan interesin e tyre të përbashkët për shtimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe përhapjes së ideologjisë ekstremiste.
Çfarë dihet për sulmuesin?
Abdullakh Anzorov ishte një djalë 18 vjeç me prejardhje çeçene. Ai u qëllua për vdekje nga policia pak kohë pas sulmit që kreu afër një shkolle.
Ai është lindur në Moskë, por ka qenë duke jetuar në Francë nga viti 2008. Në këtë shtet, ai kishte arritur si refugjat, bashkë me familjen e vet.
Gjyshi dhe vëllai i tij janë marrë në pyetje nga policia, por më pas janë liruar.
Rusia ka mohuar se veprimi i të riut ka ndonjë lidhje me shtetin e lindjes. “Ky krim nuk është i lidhur me Rusinë, sepse ky person ka jetuar në Francë në 12 vjetët e fundit”, tha Sergei Parinov, zëdhënës i Ambasadës së Rusisë në Francë.