Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës bëri të ditur se bazuar në rezultatet e deritanishme dhe nëse vendimet e PZAP-it nuk ankimohen në Gjykatën Supreme dhe kjo e fundit nuk vendos ndryshe, i bie që do të ndryshojë edhe konfiguracioni politik i Kuvendit.Cakolli në një deklaratë tha se me vendimet e fundit të PZAP-it sa i përket votave të komuniteteve, boshnjak, rom dhe lidhur me votat e një prej kandidatit të AAK-së i është dhënë një drejtim i mbarë i procesit zgjedhor dhe në radhë të parë është siguruar kushtetutshmëria sa i përket përfaqësimit të komuniteteve.
“Bazuar në rezultatet e deritanishme nëse këto vendime nuk ankimohen në Supreme dhe Supremja nuk vendos ndryshe, i bie që do të ndryshojë edhe konfiguracioni politik i Kuvendit. Zonja Adriana Hoxhiq do të mbetet jashtë kuvendit dhe me shumë gjasë pozitën e deputetes do ta zë zonja Duda Balje”, tha ai.
Cakolli tha më tej se tek votat e komunitetit rom mbetet të shihet a do të humbin mandatit e dytë.“Sa i përket votave të kandidatëve brenda listës së AAK besoj që vendimi në formatin që e ka publikuar PZAP është domosdoshëm dhe rinumërimi i këtyre votave me kusht do të ofrojë pasqyrë më të qartë, a ka pasur njëmend skema të manipulimit të qindra votave të rezultateve të kandidatëve brenda listave të njëjta të subjekteve politike”, tha më tej Cakolli.
Sipas tij, në rast se vërtetohet se ka skema të manipulimit të votave me kusht dhe të diasporës padyshim do të ketë hije të keqe të procesit zgjedhor, ndonëse nuk cenohet në esencë integritet i procesit meqenëse pikërisht ky vendim për rinumërim do të rrisë besueshmërinë e publikut në këtë proces.
“Sa i përket votave të komuniteteve, ne kemi vlerësuar se çështja e votave të komuniteteve ka ngjallë dyshime të shumta dhe në fakt adresimi i tyre përbën avancim të procesit zgjedhor sepse korrigjohen gabimet”, tha ai për telegrafin.Cakolli foli edhe për kohën se kur pritet të ndodhë certifikimi i zgjedhjeve.“Unë besoj që do të marrë kohë nëse KQZ do të presë vendimet e Supremes për rinumërim, ka fare pak gjasa ose aspak që certifikimi i zgjedhjeve të ndodhë në këtë javë. Tashmë fillon të rrjedh afat 24 orësh për Gjykatën Supreme, e njëjta ka 72 orë për t’i adresuar këto shqetësime.Nëse merret trendi i zakonshëm i 45 tavolinave të numërimit, atëherë votat me kusht dhe të diasporës për AAK do të mund të numëroheshin brenda 1 ose 2 ditë. Duke pasuar sërish një afat 24 orësh të ankimimit në PZAP, i bie që do ta përmbyllim këtë proces nga fillimi i javës së ardhshme”.