Kryetari i Komunës së Istogut , Haki Rugova është lajmëruar pas shumë ditësh përmes një postimi në Facebook.
Në profilin e tij ka publikuar një fotografi përmes së cilës ka kujtuar mikun e tij Ukë Bytyqin ku shihen së bashku me të edhe Agim Veliun e që sipas Rugovës ishin shtylla e LDK-së.“E përkujtoj mikun tim, Ukë Bytyqin e vrarë pabesisht. Në foto Uka, Fadili, që nuk është më me ne, Naseri dhe Agimi, të gjithë kryetarë të Degëve. E kam ndje veten mirë të punoj me këta njerëz si shtylla të LDK-së.
Presidenti Rugova besonte fort në Degët tona”, ka shkruar Rugova.
I pari i Istogut ishte arrestuar para disa javësh nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Gjykata Themelore në Pejë, më 11 tetor kishte vendosur për masë të arrestit shtëpiak ndaj Haki Rugovës për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale, konflikt i interesit, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar dhe ndaj L.B., nën dyshimin se ka kryer veprat penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim i dokumentit zyrtar.
Nëntë ditë më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur lidhur me ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, kryetarit të Istogut, Haki Rugova dhe ish nënkryetarit të kësaj komune, Lulzim Blaka.