Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas publikimit të pamjeve ku ndodhi incidenti ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca dhe atyre të LDK-së, Kujtim Shala dhe Arben Gashi.LDK në reagimin e tyre thuhet se kjo është shpifje e deputetit të VV-së.
“Reagim ndaj shpifjeve për sulm nga ana e deputetëve të LDK-së ndaj deputetit të Vetevendosjes:
Nga incizimi i publikuar sot në medie, shihet qarte se dje, në hollin e Kuvendit të Kosovës, një përpjekje për bisedë mes kolegësh është shndërruar në histeri dhe akuzë për sulm fizik”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Grupit Parlamentar të LDK-së në bazë të videos së publikuar sot është hedhur poshtë ajo se çfarë ka pretenduar deputeti Gjyshinca.
“E kemi thënë edhe dje, para qytetarëve dhe para organeve kompetente se në asnjë moment, nuk ka ndodhur asgjë nga çfarë është pretenduar. Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehë konsideratë për publikimin e videos së incizuar nga kamerat e Kuvendit të Kosovës, ku shihet se gjithçka që u pretendua dje, u hodh poshtë sot”, thuhet mes tjerash në reagimin e LDK-së.“Por, pas daljes në shesh të së vërtetës, shihet qartë se ende ka tendencë dhe përpjekje për ta prezantuar situatën e djeshme në favor të atyre që akuzuan dhe linçuan për motive të pastra politike”, thuhet në reagim.