Angelina Jolie po shet aksionet e saj në kantinën e verës që ajo dhe ish-burri i saj Brad Pitt zotërojnë së bashku. Ajo gjithashtu dëshiron të shesë aksionet e saj në Nouvel LLC, një kompani me bazë në Luksemburg që drejton vreshtin Chateau Miraval, të cilën ajo e bleu me Pitt në Francë në vitin 2011, transmeton FrontOnline. Ish-bashkëshortët kanë një pjesë të barabartë në vresht. Ajo paraqiti një kërkesë në Los Anxheles për të hequr ndalimin e përkohshëm të hyrjes në pronën e tyre, e cila pasoi automatikisht kur ajo bëri kërkesë për divorc në vitin 2016.
Gjykatësi ende nuk i është përgjigjur kërkesës së aktores për të hequr ndalimin automatik të përkohshëm të hyrjes në pronë, por kërkesa e saj urgjente tashmë ishte refuzuar në qershor. Ekipi ligjor i aktores u tha mediave të huaja se ish-bashkëshortët kanë pasur negociata të gjata deri më tani, por nuk kanë arritur një marrëveshje. Angelina tani ka gjetur një blerës nga një palë e tretë. Nga ana tjetër, ish-bashkëshortët kanë shpenzuar më shumë se një milion dollarë në proceset gjyqësore të divorcit dhe kujdestarinë e fëmijëve në pesë vitet e fundit./FrontOnline/