×
  • Vip
  • Vip

    Pas Gjikos edhe Capital T ushtron padi SLAPP ndaj një gazetari

    FrontOnline
    08 Nëntor 2024

    Reperi Trim Ademi, i njohur si Capital T, ka ushtruar padi SLAPP ndaj gazetarit Robert Bojaj, ky është reperi i dytë në Kosovë, pas Gjikos, që ushtron padi SLAPP ndaj gazetarëve.

    Kështu ka bërë të ditur juristja e medias, Flutura Kusari.

    Padia e Capital T ndaj gazetarit Bojaj ndërlidhet me një emision të bërë në gusht të këtij viti, ku gazetari kishte mysafir reperin Besart Gashi apo i njohur si Rreziku. Capital T në padinë e tij pretendon se, pyetjet e gazetarit Bojaj kundrejt mysafirit në emision ishin tendencioze, provokuese dhe qëllimi i tyre ishte që nga përgjigjet e dhëna nga “presioni” t’i dëmtohej reputacioni Capital T-së.

    Capital T kërkon që gazetari t’i paguajë dëmshpërblim (nuk specifikohet shuma), të vërtetohet që ka shpifur (përmes ushtrimit të pyetjeve), t’i ndalohet gazetarit Robert Bojaj që të përsërisë publikimet të njëjta “shpifëse” ndaj Capital T dhe t’ia kompensojë shpenzimet gjyqësore.

    Flutura Kusari thotë se Capital T është reperi i dytë në Kosovë, pas Gjikos, që ushtron padi SLAPP ndaj gazetarëve.

    Ajo ka bërë një analizë të këtij rasti duke thënë ndër të tjera se argumentet e Capital T, që kinse përmes pyetjeve i është dëmtuar reputacioni, janë absolutisht të pabaza dhe pa asnjë mbështetje faktike për shkak se pyetjet kurrë, asnjëherë nuk mund të shkaktojnë dëmtim të reputacionit.

    “Janë përgjigjet ato të cilat mund të bëjnë dëm. Përse paditësi nuk e ka paditur Rrezikun?”, shkruan Kusari ndër të tjera.

    Kusari thotë se padia qëllimisht targeton gazetarin dhe jo televizionin, një indikator ky kyç në paditë SLAPP dhe bëhet për të ushtruar presion në gazetarin.

    Postimi i plotë:

    Reperi Trim Ademi, i njohur si Capital T, ushtron padi intimiduese dhe frikësuese (SLAPP) ndaj gazetarit Robert Bojaj për shkak të pyetjeve të ushtruara

    🩸 Faktet e rastit
    Gazetari Robert Bojaj më 6 gusht 2024 në emisionin N’mal a n’deti në ATV e ka pasur të ftuar reperin Besart Gashi (Rreziku). Në emision, pasi Rreziku deklaron se ka biseduar me ekipin e Capital T, gazetari e pyet Gashin se përse nuk kishte ndodhur ai bashkëpunim dhe nëse kishte të bënte me aspekte financiare. Gazetari tutje insiston se për sa pare bëhej fjalë, duke përmendur shuma të ndryshme derisa arrin tek përgjigja.

    Sipas padisë, këto pyetje ishin tendencioze, provokuese dhe qëllimi i tyre ishte që nga përgjigjet e dhëna nga “presioni” t’i dëmtohej reputacioni Capital T-së.

    Capital T kërkon që gazetari t’i paguajë dëmshpërblim (nuk specifikohet shuma), të vërtetohet që ka shpifur (përmes ushtrimit të pyetjeve), t’i ndalohet gazetarit Robert Bojaj që të përsërisë publikimet të njëjta “shpifëse” ndaj Capital T dhe t’ia kompenzojë shpenzimet gjyqësore.

    Padia është ushtruar me 20 shtator 2024 ndërsa kërkesa për përgjigje në padi është pranuar sot më 7 nëntor 2024 nga gazetari.

    🩸 Analiza ime

    Analizë e bazuar në indikatorët për paditë SLAPP sipas Rekomandimit të Këshillit të Europës kundër padive SLAPP dhe standardeve të përgjithshme të GjEDNj-së për mbrojtjen e lirisë së shprehjes

    – Tematika e ngritur nga ana e gazetarit, përkatësisht bashkëpunimi dhe format e bashkëpunimit të një këngëtari të njohur si Capital T me këngëtarët e rinjë është tematikë në interes të publikut. Këngëtarët e rinjë kërkojnë dhe presin që të kenë mbështetje nga këngëtarët që kanë bërë emër. Ndonëse është e drejta e këngëtarëve të vendosin për bashkëpunimin e tyre, publiku meriton të dijë nëse këta këngëtarë mbështesin këngëtarët e rinjë, nëse i ndihmojnë të gjejne veten dhe të krijojnë karrierë në industrinë muzikore, në çfarë forma e bëjnë këtë bashkëpunim, pa paragjykuar të drejtën që një këngëtar mund të kërkojë dhjetra mijëra euro për një bashkëpunim. Rrjedhimisht, temat në interes të publikut gëzojnë mbrojte të madhe.

    – Një ndër të drejtat themelore të gazetarëve është e drejta për të ushtruar pyetje, pa këtë të drejtë nuk ka gazetari, nuk ka emisione, nuk ka informacione. Personi i intervistuar është person i moshës madhore, artist i ri, që është shfaqur në publik dhe që ka aftësinë e duhur për të refuzuar pyetjet. Capital T nuk mund të pretendojë që një person madhor, me aftësi veprimi nuk është në gjendje të refuzojë të përgjigjet. Kjo është ofendim për reperin dhe pretendim i rremë.

    – Në këtë padi ka imbalance of power (s’po di qysh me përkthy), në njërën anë është një reper që ka emër, fansa dhe supozohet që financiarisht qëndron mirë meqë është në biznes profitabil. Rrjedhimisht, e ka të lehtë të angazhojë avokatë për të intimiduar gazetarin.

    Në anën tjetër, gazetari është në pozitë shumë më të pafavorshme. Rrjedhimisht, pozita e tij më e lartë dhe ndikimi në shoqëri rezulton në presion ndaj gazetarit. Kështu, gazetari në vend se të fokusohet në punën e tij si gazetar, duhet të kalojë kohë dhe të shpenzojë mjete financiare për të luftuar kundër një padie të pabazë (indikatori i parë, për ata që nuk janë duke e kuptu analizën)

    – Argumentet e Capital T, që kinse përmes pyetjeve i është dëmtuar reputacioni, janë absolutisht të pabaza dhe pa asnjë mbështetje faktike për shkak se pyetjet kurrë, asnjëherë nuk mund të shkaktojnë dëmtim të reputacionit. Janë përgjigjet ato të cilat mund të bëjnë dëm. Përse paditësi nuk e ka paditur Rrezikun?

    – Padia qëllimisht targeton gazetarin dhe jo televizionin, një indikator ky kyç në paditë SLAPP dhe bëhet për të ushtruar presion në gazetarin.

    – Capital T e ka kontaktuar gazetarin dhe i ka kërkuar demant (duke mos i ofruar tekstin e demantit) dhe tërheqje të publikimit. Gazetari në përgjigjen e tij ka thënë që konsideron që veprimet e tij kanë qenë brenda standardeve profesionale mirëpo për korrektësi i ka ofruar hapësirë për demant dhe ofrim të anës së tij. Capital T, sipas dokumenteve, ndonëse ka kërkuar demant, nuk e ka ofruar atë as pasi gazetari ia ka ofruar hapësirën. Kjo tregon që ai nuk është i interesuar t’i ofrojë publikut informacione të sakta.

    – Padia është nënshkruar nga Capital T dhe jo nga avokati. A thua përse?

    🩸Kjo padi është Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike, e shkruar dobët, e pargumentuar dhe e pabazuar në fakte. Ajo nuk synon realizimin e ndonjë të drejtë të cënuar por është abuzim me sistemin gjyqësor dhe procedurat gjyqësore. Është e rrezikshme sepse krijon precedent të paditjes së gazetarëve nëse ushtrojnë pyetje dhe insistojnë në përgjigje dhe ka për qëllim që të frikësojë dhe intimidojë gazetarin Robert Bojaj. Po ashtu, ajo synon që t’i çoj mesazh gazetarëve tjerë që të kenë “kujdes” kur raportojnë për Capital T.

    Shpresoj shumë që Gjykata Themelore në Prishtinë do ta trajtojë me kujdes, do ta analizojë në dritë të Rekomandimit të Këshillit të Europës kundër padive SLAPP dhe në respektim të plotë të standardeve të GjEDNj-së dhe si të tillë ta refuzojë si të pabazuar dhe abuzive.

    Capital T është reperi i dytë në Kosovë, pas Gjikos, që ushtron padi SLAPP ndaj gazetarëve.

    Çka janë paditë SLAPP?

    Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave e përkufizon SLAPP-in si “padi e ngritur nga subjekte të fuqishme (p.sh. korporata, zyrtarë publikë, biznesmenë të profilit të lartë) kundër individëve apo organizatave joqeveritare që kanë shprehur një qëndrim kritik për një çështje thelbësore me ndonjë interes politik ose rëndësi shoqërore”.

    Ato përfshijnë përpjekje për censurë, frikësim dhe heshtje përmes një procesi të vështirë gjyqësor, i cili shpesh rëndohet edhe me kosto të mëdha financiare që mund të çojnë në braktisjen e betejës ligjore dhe, në rastin ekstrem, heshtje të kritikës. Pra, synimi i tyre është të ngulfasin lirinë e shprehjes për çështje me interes publik./Reporteri.net.

    Nga Rubrika
    Vip24 Nëntor 2024
    Nea Body Center ka bërë që banorët e shtëpisë më të famshme në vend, të përjetojnë magjinë e trajtimit të lëkurës. Megjithatë,...
    Vip24 Nëntor 2024
    Kevini e ka thirrur Gjestin duke i thënë që ka një mesazh për të. Ai i tha që ka një lajm të...
    Vip24 Nëntor 2024
    Gjesti ka vazhduar me ironi për raportin e Edit me Xhenetës. Madje ky e imiton Edin se çka thoshte për Xhenetën. “Të...
    Të tjera
    Lajme24 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka marrë pjesë mbrëmë në një koncert të zhvilluar në Gjakovë në...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konventën politike të...
    Sport24 Nëntor 2024
    Lille është duke udhëhequr ndaj Rennes, në kuadër të Ligue 1. Golin e ka realizuar kush tjetër pos Edon Zhegrovës, i cili...
    Bota/Rajoni24 Nëntor 2024
    Nuk kanë munguar incidentet në takimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama me shqiptarët e Britanisë së Madhe. Kreu i qeverisë shqiptare u...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka publikuar një video nga një mbledhje e Komisionit parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike ku deputetët...
    Lajme24 Nëntor 2024
    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nënrkyetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami “u zbraps” në përplasjen mes tyre në distancë për kontratat...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.