Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu e ka komentuar fitoren e sotme ndaj Arbërisë së Dobrajës.
Në ndeshjen e xhiros së fundit për këtë edicion në Superligën e Kosovës, Drita mundi Arbërinë 2:0 dhe siguroi pjesëmarrjen në UEFA Conference League si nënkampione, shkruan FrontOnline.
Pas ndeshjes, Nuhiu u shpreh i lumtur me skuadrën e tij.
“Ndeshjet e tilla janë të vështira në aspektin psikologjik për lojtarët. E menaxhuam mirë ballafaqimin, nuk rrezikuam për asnjë moment. Epërsinë që e kishim në pjesën e parë, e menaxhuam. Kemi mundur ta mbyllim ndeshjen më herët. Më vjen mirë që është fituar ndeshja dhe është arritur Evropa pas vitit shumë të vështirë. Nuk e morëm maksimumin edhe pse kemi udhëhequr gjatë gjithë kampionatit”, tha Nuhiu në “Art Sport”.
Tekniku shkupjan gjithashtu konfirmoi të ardhmen e tij te klubi gjilanas. Ai pati disa fjalë edhe për përforcimet e merkatos verore.
“Ka qenë një vit i gjatë me pandemi. Kemi pasur lodhje, dëmtime të lojtarëve në pjesën kryesore të kampionatit dhe mbetëm pa forca. E kemi menaxhuar mirë megjithatë dhe i përgëzoj lojtarët për këtë. Do të vazhdoj të jem pjesë e klubit. Objektivi ka qenë titulli. Me këtë klub nuk më lidh vetëm kontrata, pasi kemi raporte të jashtëzakonshme dhe unë gjithmonë do ta bëj më të mirën. Liga e Konferencës do të na jap mundësi të kërkojmë më tepër, në Evropë varet prej shortit. Do të mundohemi të sjellim freski për t’u përgatitur sa më mirë për ta përfaqësuar futbollin kosovar në Evropë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, prej Arbërisë, askush nuk u prononcua për media./FrontOnline/