Kosova sot do të furnizohet me vaksinat kundër gripit sezonal.
Ministria e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, sot në orën 11:00 do të marrë pjesë në shpërndarjen e vaksinave kundër gripit sezonal në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.
Nga Ministria e Shëndetësisë, ishte bërë e ditur mëherët se janë prokuruar përmes UNICEF-it, 160 mijë e 500 vaksina.
Edhe pse ishte thënë se vaksinimi i qytetarëve do të bëhet në muajin nëntor, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Vitin e kaluar MSH kishte blerë 100 mijë e 500 vaksina, por që për shkak të pandemisë, ishte thënë se këtë vit janë shtuar sasitë.
Krahas këtij furnizimi, është thënë se Ministria e Shëndetësisë po synon të blejë edhe mbi 300 mijë vaksina të tjera.
Çmimi i vaksinave të prokuruara është 5 euro e 27 cent.
Derisa gripi sezonal ka filluar të përhapet në vend, vaksinimi i qytetarëve është parë shumë i nevojshëm.
Mjekët kanë apeluar sidomos te personat në moshë më të vjetër, të vaksinohen që të mbrohen nga gripi sezonal.
Megjithatë, për shkak të mungesës së vaksinave, ata nuk kanë arritur të vaksinohen.