Albin Kurti, prej se është rrëzuar nga Qeveria, për çdo ditë kërkon zgjedhje. Kadri Veseli ka nisur shëtitjet nëpër komuna dhe po flet për dështimet e Avdullah Hotit. Kryeministri ka nisur t’i marrë nën kontroll institucionet kryesore para se të shkohet në proces elektoral. Ramush Haradinaj, gati çdo javë, shtyhet me Shefin e Ekzekutivit. Amerikanët kanë deklaruar se nuk i pengojnë zgjedhjet e reja.
Albin Kurti dhe Kadri Veseli po bëjnë veprime të ngjashme kur është puna te përgatitja e partive për garën elektorale. Të dy liderët e partive po bëjnë fushatë në terren për t’u bërë gati në rast se vendi shkon shpejt në zgjedhje elektorale.
Edhe lideri i NISMA’s, Fatmir Limaj, ka nisur t’i mobilizojë anëtarët e partisë se një proces i shpejt elektoral mund ta zë Kosovën.
Në këtë situatë, duarkryq nuk po rrinë as Shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, i cili ka futur nën kontroll institucionet kryesore si Policinë, Doganën dhe ATK’në. Në një proces të mundshëm elektoral, Hoti do t’i kishte njerëzit e tij në krye të institucioneve kryesore që merren me siguri e ekonomi.
Gjithë këto lëvizje janë duke ndodhur pasi është vënë në pazar pozita e Presidentit pasi është përmendur se Specialja ka lëvizur sa i përket aktakuzës ndaj Hashim Thaçit.
Amerikanët kanë qartësuar pozicionin e tyre se nuk janë kundër zgjedhjeve.
“Nëse Kushtetuta e lejon ndryshimet në koalicion ne do ta respektojmë. Por nëse shihet se Kosova po shkon nga zgjedhjet, ne do ta respektojmë edhe atë opsion. Kam dëgjuar njerëzit duke thënë se SHBA nuk do të lejojë zgjedhjet apo nuk do të pranojmë rezultate të caktuara, kjo nuk është e vërtet. Presim që qeveritarët t’i përmbahen Kushtetutës”, ka thënë ambasadori amerikan, Philip Kosnett në “Debat Plus”.
Zgjedhjet është duke i përmendur edhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa. Ka thënë se nëse s’ka pajtim për Presidentin atëherë shkohet në proces të ri elektora.
Deputeti i LDK’së, Arben Gashi, në një debat televiziv, ka thënë se gjasat më të mëdha për President i ka Isa Mustafa. Qoftë edhe pas një procesi të ri elektoral.
Shpallja e zgjedhjeve për kryetar komune në Podujevë e Mitrovicë të Veriut nga presidenti Thaçi e në anën tjetër gara për postin që mban ky i fundit ka mobilizuar partitë politike për zgjedhje në nivel vendi.
AAK po insiston me çdo kusht që posti i presidentit i takon Ramush Haradinajt. Por LDK’ja dhe Avdullah Hoti ia kanë bërë të qartë se për këtë pozitë flasin kur të vie koha.
Vetëvendosje tash e sa kohë e ka të ditur qëndrimin për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli ka shpeshtuar vizitat nëpër fshatrat e qytetet e Kosovës, kurse Fatmir Limaj i Nismës po i takon strukturat organizative të partisë.
Këto lëvizje po tregojnë qartë se posti i presidentit ka bërë që partitë të mobilizohen tek anëtarësia e tyre për zgjedhje të mundshme.
E për zgjedhjet ka folur edhe përfaqësuesi kryesor i diplomacisë amerikane në Kosovë, ambasadori Philip Kosnett.
Ai tha në një intervistë televizive se ambasada amerikane nuk është asnjëherë kundër zgjedhjeve.