Pandemia Covid-19, ka ndikuar negativisht në gjendjen psikike të qytetarë, në Kosovë e në mbarë botën.
Për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike, disa persona edhe kanë bërë vetëvrasje.
Rasti i fundit ka ndodhur në Shqipëri, ku R.G 69-vjeçar i infektuar me Covid-19 u hodh nga kati i dytë i spitalit infektiv.
Ndërsa, situata me Covid-19, vlerësohet që do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen mentale të qytetarëve të Kosovës, sidomos të atyre që kanë probleme të mëparshme psikike.
Psikologia, Antigona Qenaj-Sejdiu, ka thënë për Front Online se gjendja me pandeminë po krijon ankth te qytetarët.
Ajo është shprehur se kjo situatë do t’i rëndojë më shumë personat që kanë pasur probleme psikike edhe mëherët.
“Tashmë po shkojmë në rritje të numrit të rasteve me virusin Corona dhe kjo ka pasur një efekt edhe në aspektin psikologjik te qytetarët. Vet fakti që në media shihen raste të cilat e kanë gjendjen e rënduar dhe shihet çdo ditë shtrëngim i masave ndaj lirisë së lëvizjes, kjo krijon panik te qytetarët dhe probleme tjera me ankthin”, ka thënë ajo.
Sipas Qenaj-Sejdiut, qytetarët janë të lodhur psiqikisht nga përballja e tyre me virusin, nga humbja e familjarëve për shkak të këtij virusi, e kufizimi i lëvizjes.
“Padyshim edhe qytetarët e tjerë që nuk e kanë lirinë e lëvizjes, lirinë e kontakteve fizike me familjarët, për shkak se duhet të kujdesen për prindërit, ndihen më të mërzitur, më të izoluar e humbin edhe shpresën për të ardhmen. Kjo ndikon që ata të ndryshojnë mendimin për botën, dhe të kenë mendime negative”, ka shtuar ajo.
Si të sillen qytetarët, për ta pasur në kontroll gjendjen psikike gjatë pandemisë?
Psikologia, Antigona Qenaj-Sejdiu, ka treguar se si duhet të sillen qytetarët, sidomos ata me probleme të shëndetit mendor gjatë pandemisë.
Sipas saj, qytetarët duhet të largohen sa më shumë nga lajmet negative.
“Qytetarët duhet të punojnë me veten maksimalisht, të distancohen nga lajmet negative e të kenë kujdes të mos ekspozohen nga virusi. Ata duhet të merren me aktivitete fizike, të ekspozohen ndaj rrezeve të diellit e dritës. Këto do të ndikojnë që personat të kenë një mirëqenie më të mirë në aspektin psikologjik”, ka treguar ajo./Front Online