Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar protest për të premten nga ora 13:00 në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë hyrë në grevë për paga.
Në një njoftim të kësaj organizate thuhet se këto punëtore po kërkojnë rroga të cilat ua sigurojnë minimumin jetik e trajtim të dinjitetshëm në punë.
“ Aktualisht ato marrin veç 275 euro në muaj në kushte pune denigruese dhe çnjerëzore. Të organizuara mbi të drejtën e tyre për punë dhe jetë të dinjitetshme, ato po kërkojnë të mos trajtohen si mall i cili ofrohet nga bizneset për shtetin, ashtu siç i ka definuar shteti përmes partneritetit publiko-privat por si njerëz prej mishi e gjaku e punëtore të cilat e mundësojnë punën e këtij institucioni”.
“Grevistet janë të vendosura në kauzën e tyre. Megjithatë, ato kërkojnë ndihmën tonë që përvojat dhe kërkesat e tyre të dëgjohen dhe të gjejnë zgjidhje. Teksa punëtoret janë duke e zhvilluar rezistencën e tyre haptazi në oborrin e Kuvendit, ne obligohemi t’iu bashkohemi e ta mbështesim kauzën e tyre për trajtim njerëzor në vendin e punës”.
“Kërkesat e tyre për paga dhe trajtim të dinjitetshme duhet të na lëvizin të gjitha/ë ne dhe të dalim në shesh e t’i kërkojmë shtetit që t’i trajtojë punëtoret dinjitetshëm e jo si mall që blihet lirë. Greva e tyre është moment i rëndësishëm i artikulimit politik të gjendjes së klasës punëtore dhe kundërshtimit të zhvleftësimit në rritje të statusit të punëtores/it”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Protesta do të zhvillohet pranë objektit të parlamentit.