Nga nesër pritet që zona të ndryshme në Kosovë të përshkohen nga vranësira që do krijojnë reshje shiu kurse në vise malore priten edhe reshje të borës. Këto reshje sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës do përfshijnë gjithë vendin duke rrezikuar disa zona të Dukagjinit me vërshime.
“Të enjten parashihet që vendi ynë të ndikohet nga masat e lagështa të ajrit duke krijuar kushte për vranësira të dendura të cilat do t’i takojnë stadit të ulët dhe të mesëm të Troposferës. Kjo situatë e krijuar meteorologjike do të krijojë kushte që të kemi reshje shiu, kurse në viset e larta reshje bore. Reshjet do të përfshijnë gjithë territorin duke rrezikuar disa zona të Dukagjinit nga vërshimet,” thuhet në njoftim.
Tutje sipas IHK-sw temperaturat do lëvizin nga 1 gradë celsius ajo minimale në 9 gradë celsius ajo maksimale.
“Temperaturat do të shënojnë ulje në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 7-9 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-10m/s,” thuhet tutje në njoftim./