Janë mbyllur pesë ndeshjet e sotme në kuadër të javës së 34-t në Superligën e Kosovës në futboll.
Kryendeshja e kësaj xhiro u zhvillua në stadiumin e qytetit në Gjilan mes Dritës dhe Ballkanit, raporton FrontOnline.
Ndeshja në fjalë u mbyllë baras 1:1, ku Xhevdet Shabani shënoi për Dritën (’17), derisa Mirlind Daku barazoi për Ballkanin (’45).
Nga ana tjetër, Prishtina e ka shënuar një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme ndaj Feronikelit, 2:1.
Kryeqytetasit e mundën “Niklin” në stadiumin “Fadil Vokrri” me golat e Leonit Abazit (‘7) dhe Endrit Krasniqit (’69), derisa për mysafirët ishte autogoli i Ardit Nikës (’22).
Me këtë fitore, Prishtina e bën një hap të madh drejt titullit kampion.
Tutje, Trepça ’89 ka shënuar fitore jashtëzakonisht të vlefshme ndaj Gjilanit, 2:1.
Dy golat e super-sulmuesit Arbnor Muja (’56,’68) ia dhuruan fitoren “Minatorëve”, teksa Shend Kelmendi shënoi golin e nderit për mysafirët në minutën e 22-të.
Në ndeshjen “derbi” për mbijetesë, Arbëria barazoi me Drenicën 1:1, ku për lipjanasit shënoi Marclei (’23), ndërsa për drenicasit realizoi Uka (’58).
Dhe për fund, Llapi e mposhti Besën me rezultat minimal, 1:0 me golin e Elvis Prençit në minutën e 59-të të ndeshjes./FrontOnline/