×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Papa i ri, Leoni XIV zotohet se kisha do t’i ndriçojë “netët e errëta” të botës

    FrontOnline
    09 Maj 2025

    Papa i ri i Kishës Katolike, Leo XIV, mbajti meshën e tij të parë këtë të premte në Kapelën Sistine, më pak se 24 orë pas zgjedhjes së tij si pontifi i 267-të dhe pasardhësi i Papa Françeskut.

    Ish-kardinali Robert Prevost, amerikani i parë që ngjitet në fronin papnor, u shfaq i qetë gjatë meshës së kremtuar në mesin e kardinalëve që e zgjodhën atë.

    I veshur me petka të thjeshta të bardha e të arta, Papa Leo, i lindur në Çikago dhe ish-misionar për dy dekada në Peru, foli fillimisht shkurtimisht në anglisht, për të vazhduar predikimin në italisht të rrjedhshëm.

    Në homelinë e tij, Papa 69-vjeçar theksoi vizionin për një Kishë që shërben si “administratore besnike” për të gjithë besimtarët.

    Ai paralajmëroi për pasojat e mungesës së besimit në botën moderne, duke përmendur “humbjen e kuptimit të jetës, shpërfilljen e mëshirës, shkeljet tronditëse të dinjitetit njerëzor dhe krizën e familjes”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

    Zgjedhja e një amerikani si papë ishte e papritur, pasi shumë mendonin se një “superfuqi” si SHBA nuk do të mund të drejtonte Kishën botërore.

    Megjithatë, Leo XIV mban edhe shtetësinë peruviane dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në shërbim të të varfërve në Amerikën Latine, veçanërisht si ipeshkëv në qytetin Chiclayo nga viti 2015 deri në 2023.

    Qytetarët e Chiclayo-s dolën në rrugë për të festuar zgjedhjen e “njërit prej tyre”, ndërsa kambanat e kishave kumbonin në shenjë gëzimi.

    Zgjedhja e emrit “Leo” është e ngarkuar me simbolikë. Papa i fundit me këtë emër, Leo XIII (1878-1903), ishte i njohur për angazhimin e tij ndaj drejtësisë sociale dhe për përpjekjet për ta sjellë Kishën më pranë punëtorëve dhe të varfërve, një vizion që duket se Papa i ri synon ta vazhdojë.

    Meshë inaugurale për Papa Leo XIV do të mbahet të dielën, më 18 maj, në Sheshin Shën Pjetër. Janë ftuar liderë botërorë dhe fetarë në këtë ngjarje madhështore, që shënon nisjen zyrtare të papatit të tij. Inaugurimi i Papa Françeskut në vitin 2013 tërhoqi mbi 200,000 besimtarë.

    Papa i ri do t’i mbajë përkohësisht në detyrë zyrtarët aktualë të Vatikanit, përpara se të marrë vendime për ndryshime eventuale. Ai trashëgon një Kishë me sfida të shumta: nga mungesa në buxhet, ndarjet për çështjet LGBT dhe rolin e grave, e deri te përgatitjet për Vitin e Shenjtë, që do të sjellë miliona pelegrinë në Romë.

    Pavarësisht profilit të tij të ulët publik, Leo XIV ka qenë një figurë kyçe në Vatikan, sidomos në zgjedhjen e ipeshkëve të rinj në mbarë botën. Kjo e bën atë një figurë me ndikim të madh, dhe të shumëpritur për t’u parë në veprim.

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni24 Korrik 2025
    Legjenda e mundjes, Hulk Hogan, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare. Hogan, i lindur Terry Gene Bollea, u gjet i vdekur...
    Bota/Rajoni24 Korrik 2025
    Parfumet, pijet alkoolike dhe shishet do të lejohen përsëri në çanta dhe mini-valixhe, ato që na shoqërojnë deri në sedilje, duke përfunduar...
    Bota/Rajoni24 Korrik 2025
    Eksportuesit e çelikut në BE përballen me një tarifë “katastrofike” të vendosur nga Trump – dy herë më e lartë se ajo...
    Të tjera
    Lajme24 Korrik 2025
    Prokuroria Themelore e Gjakovës , ka kërkuar paraburgim ndaj pesë të dyshuarve A.B., E.B., A.L., dhe A.K, për keqpërdorim i pozitës apo...
    Lajme24 Korrik 2025
    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme dhe sqarim...
    Lajme24 Korrik 2025
    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas thirrjes që bëri pak më parë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për bizneset...
    Lajme24 Korrik 2025
    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka takuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin. Hargreaves tha se me Radoniqin folën...
    Bota/Rajoni24 Korrik 2025
    Biznesmeni jugafrikan Errol Musk, babai i miliarderit Elon Musk, ka vizituar këtë javë Bosnjën për të vlerësuar potencialin e saj si një...
    Lajme24 Korrik 2025
    Deputetja e zgjedhur e VV’së, Fitore Pacolli, ka thënë se burri i saj Ilir Dalipi nuk i ka përfituar 52 mijë euro....
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.