Aktivitetet zakonisht i zhvillojnë ndaras.
Por këtë herë, organizatorët e AgroKos dhe ExpoKos, vendosën të bëhen bashkë, duke organizuar një panair të vetëm.
Në ekspozitën që u hap të martën, afaristë të sukseshëm nga vendi, rajoni e bota erdhën në Prishtinë për të paraqitur produktet e tyre bujqësore e industriale.
Bajram Lumi, pronar i kompanisë së mobileve “Graniti”, është njëri prej tyre.
“Na përfaqësojmë këtu fabrikën e mobileve “Graniti”. Merremi me prodhimin e kuzhinave, dhomave të gjumit për të rritur, për fëmijë, sofra të ndryshme, garnitura të ndryshme. Kohëve te fundit kemi filluar me pajisjen e hoteleve. Kemi marrë pjesë edhe në panaire ndërkombëtare, në 2017 dhe 2019. Madje në 2019 jemi përzgjedhur ndër kompanitë më të suksesshme në panairin më të madh në Evropë”, u shpreh Lumi për Front Online.
Vende këtu iu bë edhe afaristëve të rinj në moshë.
Studenti, Çlirim Sermaxhaj, ekspozoi specialitetet ushqimore dietale të kompanisë së tij.
“Ne ofrojmë ushqime të shëndetshme dhe plane ushqimore. Varësisht prej qëllimeve, nëse dikush dëshiron të humbë apo shtojë peshë, ia përshtatim në bazë të karakteristikave”, theksoi ai për Front Online.
Me ato që panë në panair, vizitorët u ndan të kënaqur, derisa nuk dolën duarthatë prej aty.
“Morëm nga artizanet, mbathje, nga mjalti produkte, pershtypjet janë të mira veç le të vazhdon”, shprehet një vizitor.
“Po të jepet mundësia me i pa produktet me u njoftu për ndërmarrjet firmat”, pohoi një tjetër vizitor.
Panairi po mbahet në hotelin “Emerlad” në Prishtinë dhe do të zgjasë tri ditë.