Në gjendje të rëndë e gjeti shtëpinë e tij, Armend Prekopuca, para tre ditësh, kur u kthye nga puna.
E veç hallakamës, hajnat këtu në Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës, atij i shkaktuan edhe më shumë dëm.
I vodhën soli e para që në total sipas tij janë rreth 1600 euro.
“Krejt fshati qe 4-5 ditë jena t’u ruajt se ka ndodh në pesë shtëpi atë natë. Jemi të gjithë me fëmijë duke u frikësuar, nuk po guxojmë as me flejt”, tha ai.
E vjedhjet e shumta kanë shtyrë një banor të këtushëm të marr masa.
Ai ka vendosur kamera sigurie në shtëpi të tij.
“Ka ndodhur një vjedhje te djali i axhës, por edhe në shumë shtëpi tjera këtu te na në fshat. Jemi të rrezikuar dhe të shqetësuar, më kanë detyruar në shtëpinë time me i vendos kamerat dhe alarmin”, tha Diar Prokopuca.
Nga familjet tjera që u grabitën javën e fundit thanë prapa kamerave se shuma e dëmit që hajnat iu shkaktuan shkon deri në 6 mijë euro.
Për këtë banorët kanë njoftuar edhe Policinë e Kosovës të cilët ende nuk kanë rënë në gjurmë të tyre.
Kurse përfaqësuesi i fshatit, Sabit Bullatovci dyshon se personat që po i kryejnë vjedhjet janë pikërisht nga ky vend.
“Ata po shkojnë në ato pjesë ku nuk ka drita, këndej nuk po guxojnë me ardhë. Këto po i bëjnë disa djem të ri të fshatit dhe policia i ka emrat e tyre”.