Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer vlerësoi se diplomatët serbë e përkrahin projektin e ‘Mini-Shengenit’ ballkanik, teksa tha se nuk sheh euro-skepticizëm në mesin e popullit serb.
Palmer foli në konferencën “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Serbi dhe politika e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor”, teksa tha se se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën evropiane të Serbisë.
“Rruga për në anëtarësimin në BE është e vështirë dhe shpesh duket e pafund. Sidoqoftë, në praktikë është treguar se kur një vend arrin qëllimin e tij, u bëhet e qartë qytetarëve se përfitimet janë më të mëdha se vështirësitë. Unë pres që ky të jetë rasti me Serbinë, dmth kur njerëzit të shohin përfitimet e vërteta të anëtarësimit, ajo mbështetje për rrugën evropiane do të rritet “, tha Palmer, raporton Kosovo Online.
“Përshtypja ime nga bisedimet e fundit me zyrtarët serbë është se në thelb, marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve janë të forta, por që ekziston gjithashtu një vizion i qartë i përbashkët për të ardhmen dhe të ardhmen e Serbisë si një anëtare e BE, me të gjitha fushat që kualifikohen si shtete të forta ekonomikisht”, shtoi tutje ai.
Projekti i Mini-Shengenit është një nga pikat për zbatim, të dalura nga marrëveshja për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington, më 14 shtator të vitit të kaluar.