Përplasje e ashpër mes deputetëve të komunitetit egjiptian, Elber Krasniqi e Veton Berisha është zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovësm, raporton Front Online.
Berisha në pikën e deklarimit jashtë rendit të ditës akuzoi ashpër Krasniqin për propagandë kundër votimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ai tha se Krasniqi ka sjellë në Kuvend një mesazh propagandues të një organizate të quajtur Kos-Int, për mosvotim të këtij projektligji, pasi që i njëjti sipas pretendimit nuk përmbush nevojat e komuniteteve.
Madje ai e quajti Krasniqin deputet të zgjedhur “aksidentalisht”.
Mirëpo nuk vonoi shumë reagimi nga Elbert Krasniqi. Ky i fundit e quajti “pazargji” e “palaço” deputetin Veton Berisha.
“Por unë e kuptoj këtë deputetin pazargji. Është shumë e drejtë dhe legjitime që të kërkojnë që të gjitha komunitetet të përfitojnë. Ky deputeti me votat e Mitrovicës së Veriut tash flet në një paraqitje të pavlerë këtu në Kuvend. Nga kjo që ky e foli në Kuvend, nëse përfiton ndonjë komunitet, e inkurajoj të flas kështu. Unë e kuptoj që ky është niveli që ai e ka. Duhet të respektojmë qytetarët, dhe nuk duhet të lejojmë që ai të bëhet palaço në Kuvend”, tha Krasniqi.
Pas kësaj pike, pritet të vazhdohet me dy interpelanca të kryeministrit Hoti në Kuvend.