Pal Lekaj deputet nga AAK, kritikoi Qeverinë Kurti për dështimin dhe siç tha për keqpërdorimin e sektorit të energjisë. Ai theksoi se ky pushtet, në koordinim me ZRRE-në, ka sjellë reduktime të vazhdueshme të energjisë dhe rritje të çmimit, duke dëmtuar qytetarët dhe ndërmarrjet.
“Qeveria Kurti ka dështuar dhe ka keqpërdorur me sektorin e energjisë së Kosovës. Ky pushtet në koordinim me ZRRE-në po mbyllë mandatin qeverisës, duke i sjellur qytetarëve në vazhdimësi reduktime të energjisë, dy herë rritje të çmimit të energjisë, vendosjen e normave të caktuara që kanë dëmtuar qytetarët dhe ndërmarrjet”, tha Lekaj për FrontOnline.
Lekaj theksoi se pagesa e faturave për serbët në veri është bërë në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe kërkoi shkarkimin e Qeverisë dhe ZRRE-së për shkeljen e të drejtave të qytetarëve.
“Pagesa e faturave të serbëve në veri është bërë në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Thënë ndryshe Qeveria Kurti dhe ZRRE kanë shkelur të drejtat e qytetarëve dhe dëmtuar xhepin e tyre, prandaj ne si AAK në vazhdimësi kemi kërkuar shkarkimin e të dyjave”, theksoi Lekaj.
Ai shpreson se nuk do të ketë probleme në furnizim gjatë dimrit.
“Ne urojmë që të mos ketë probleme në furnizim të qytetarëve gjatë dimrit, por duke e njohur këtë strukturë udhëheqëse që menaxhojnë me energjinë, nëse do të këtë dimër të ftohtë qytetarët dhe bizneset do të kenë të njëjtat probleme. Ky pushtet, mos të harrojmë që me qasjen e gabuar për shtetin nuk arriti të investojë as në ndërtimin e termocentraleve të reja, e që e sjellë Kosovën brenda pak viteve në sfida të mëdha energjetike’’, përfundoi Lekaj.
Shtrenjtim dhe reduktime/ A rrezikon që Kosova të përballet me mungesë të rrymës gjatë dimrit?