×
  • Lajme
  • Lajme

    Pakicat jo-serbe kërkojnë marrëveshje politike nga partitë shqiptare të gjejnë zgjidhje për konstituimin e Kuvendit

    FrontOnline
    29 Prill 2025

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në ora 10:00 për të vazhduar përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, pas gjashtë dështimeve radhazi për të zgjedhur Albulena Haxhiun, kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Mungesa e shumicës së nevojshme për votimin e saj ka thelluar krizën politike, duke pamundësuar funksionalizimin e plotë të legjislativit dhe duke shtyrë kështu formimin e institucioneve në vend.

    Deputetët e komuniteteve jo-serbe po kërkojnë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse ndërmjet partive parlamentare shqiptare, e cila do të hapte rrugën për tejkalimin e bllokadës dhe do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, raporton FrontOnline.

    Ata kanë theksuar se pa një konsensus ndërmjet grupeve kryesore politike, është problematike zgjidhja e këtij ngërçi politik.

    Në anën tjetër, Vetëvendosje ka mbetur e vendosur në kandidaturën e Haxhiut, derisa partitë opozitare kanë qëndrimin e njëjtë se s’kanë vote për Haxhiun, por kanë vote për kandidatin tjetër të VV-së.

     

    Rexhepi: Nëse Haxhiu nuk zgjidhet kryeparlamentare, s’ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve

    Deputetja boshnjake, Emilja Rexhepi, derisa ka folur për situatën politike, ka shprehur mbështetje për kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se si parti fituese, Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka të drejtën legjitime të propozojë kandidatin e saj, derisa u shpreh se askush nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të një partie politike dhe se, sipas saj, kjo është një mundësi për të çuar përpara proceset institucionale.

    “VV-ja, si parti fituese në zgjedhje, ka të drejtë legjitime të propozojë kandidatin e saj për Kryetar të Kuvendit dhe mendoj se askush nga ne nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të një partie politike,” deklaroi Rexhepi për FrontOnline.

    Ajo theksoi se Haxhiu për të është kandidate e mire dhe do e votoj gjithmonë.

    “Për mua personalisht Albulena është një kandidate e mirë dhe do ta votoj gjithmonë,” tha ajo.

    Deputetja Rexhepi bëri thirrje për votimin e Haxhiut nga të gjithë deputetët në seancën e sotme.

    “Mendoj se këtë duhet ta bëjmë të gjithë nesër dhe t’i hapim rrugë formimit të institucioneve të tjera, dhe nga pikëpamja morale jemi përgjegjës ndaj qytetarëve që na kanë dhënë besimin e tyre,” u shpreh ajo për FrontOnline.

    Në fund, Rexhepi paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një zgjidhje për formimin e institucioneve, një mundësi tjetër do të jenë zgjedhjet e reja.

    “Përndryshe nuk shoh zgjidhje tjetër veç zgjedhjeve të reja,” përfundoi ajo.

     

    Veton Berisha: Të arrihet një marrëveshje politike – S’ka kuptim të shkohet më në Kuvend, nëse nuk ndryshon asgjë

    Deputeti nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha, për FrontOnline ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje politike po pengon jo vetëm zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por edhe hapjen e rrugës për formimin e Qeverisë.

    “Për mua është shumë me rëndësi me u formu Kuvendi, me u formu kryesia e Kuvendit, për shkak se sa më parë formohet Kuvendi, rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë,” ka deklaruar Berisha për FrontOnline.

    Ai ka kritikuar mungesën e progresit në takimet ndërmjet partive politike, duke theksuar se pavarësisht diskutimeve të shumta, nuk po arrihet asnjë rezultat konkret.

    “Unë jam për një marrëveshje mes partive politike dhe kjo nuk po ndodhë. Po shkojmë nga takimi në takim dhe nuk ka asnjë ndryshim,” tha ai.

    Berisha për FrontOnline shtoi se pjesëmarrja në seanca parlamentare pa një marrëveshje të qartë nuk ka më, nëse nuk ndryshon situata.

    “Nëse edhe sot nuk ndryshon situata, nuk ka me pasur kuptim me shku në Kuvend kur ne po e dijmë verdiktin. Do të thotë veç me shku, me votu dhe nuk ndryshon asgjë. Unë jam mos me shkuar në seancë, pa e pasur një marrëveshje politike dhe cila do marrëveshje që është unë do e përkrahi,” përfundoi ai.

     

     

    Deputeti Kinolli: Haxhiu dështoj gjashtë herë, partitë të ulen dhe të gjejnë zgjidhje

    Deputeti nga komuniteti rom, Ablert Kinolli, për FrontOnline ka komentuar ngërçin institucional në Kuvendin e Kosovës, duke bërë thirrje për kompromis dhe dialog ndërmjet partive politike. Ai theksoi se pavarësisht që Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, dështimet e njëpasnjëshme kërkojnë reflektim dhe zgjidhje politike.

    “Me gjithë respektin, LVV është subjekti i parë politik dhe i takon dhënia e emrit për kryetar Kuvendit dhe për gjashtë herë dështoj emri i zonjës Haxhiu,” deklaroi Kinolli, duke aluduar në kandidaturën e Albulena Haxhiut që nuk ka arritur të marrë shumicën e votave.

    Ai vlerësoi se zgjidhja e krizës kërkon uljen në tryezë të të gjitha partive politike për të gjetur një rrugëdalje.

    “E mira së mirës do të duhej të uleshin partitë politike dhe të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë,” tha Kinolli për FrontOnline, duke shtuar se qytetarët janë të shqetësuar dhe në pritje të formimit të institucioneve.

    Deputeti rom shprehu bindjen se situata mund të vazhdoj kriza politike, nëse nuk arrihet një kompromis i shpejtë.

    “Shpresoj se do të gjindet një zgjidhje, dhe dikush do të lëshoj pe, për të dalur nga kjo krizë. Patjetër që duhet një kompromis dhe marrëveshje politike për të dalur nga kjo situatë, përndryshe kjo mund të zgjatë në pafundësi.” përfundoi ai.

     

    Deputeti Asllani nga komuniteti ashkali: Zgjidhja duhet të vijë nga partitë e mëdha, nuk i takon askujt t’i tregojë VV-së kë të kandidojë për kryetar Kuvendi

    Deputeti nga komuniteti ashkali, Arton Asllani, ka komentuar zhvillimet rreth bllokadës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se kjo pozitë i takon subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe se partitë e vogla nuk mund të ndërhyjnë në vendimet e saj.

    “Pozita e kryetarit të Kuvendit i takon VV-së dhe ne nuk mundemi të ndikojmë tek ajo se kë e kandidojnë për kryetar të Kuvendit,” ka deklaruar Asllani.

    Sipas tij, është e domosdoshme që fillimisht partitë kryesore të arrijnë një marrëveshje politike, e më pas partitë e komuniteteve duhet ta mbështesin atë.

    “Zgjidhja politike duhet të vijë nga partitë e mëdha e pastaj partitë e minoriteteve duhet mbështetur marrëveshjen,” tha ai për FrontOnline.

    Asllani shprehu rezervë ndaj qëndrimeve që synojnë të ndikojnë në kandidaturat e brendshme të Vetëvendosjes, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të krijojë probleme edhe në funksionimin e mëtejshëm të institucioneve:

    “Partitë e mëdha duhet me u marrë vesh dhe nuk mundëm me dhënë mendim se a duhet VV të ndryshoj emrin për kryetar të Kuvendit, por me këtë qasje mund të kishte ngërç edhe tek zgjidhja e nënkryetarëve.” shtoi ai.

    Ai shprehu qëndrimin e tij me thirrjen për maturi politike dhe shmangie të precedentëve të dëmshëm në këtë legjislaturë:

    “Nuk jam për të krijuar precedent të ri në legjislaturën e nëntë. Për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, duhet me bërë një marrëveshje, por nuk duhet treguar VV-së se kë duhet vendosin kandidat për kryetar Kuvendi.” përfundoi deputeti Asllani.

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme01 Qershor 2025
    Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për shumicë parlamentare, kjo është dëshmuar 24 herë – kaq ka dështuar Albulena Haxhiu të zgjidhet...
    Lajme01 Qershor 2025
    Java e ardhshme pritet të karakterizohet nga temperatura të larta dhe kushte të qëndrueshme meteorologjike. Sipas IHMK-së indeksi UV do të jetë...
    Lajme01 Qershor 2025
    Blerta Rexha është 24-vjeçarja e cila vdiq pas një vetaksidenti që ndodhi sot në rrugën Drenas-Skenderaj, saktësisht në fshatin Polluzhë. Vdekjen e...
    Të tjera
    Lajme01 Qershor 2025
    Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali do të marrë pjesë në pjesë në Forumin e Tretë Ndërkombëtar për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” që...
    Lajme01 Qershor 2025
    Në tregun e turizmit në Kosovë ekzistojnë prej vitesh disa kompani që, përkundër kohës së gjatë të operimit, nuk kanë arritur asnjëherë...
    Lajme01 Qershor 2025
    Arabia Saudite ka ndaluar më shumë se 269,000 njerëz pa leje për pelegrinazhin vjetor të Haxhit të hyjnë në Mekë. Kështu siç...
    Lajme01 Qershor 2025
    Blerta Rexha është 24-vjeçarja e cila vdiq pas një vetaksidenti që ndodhi sot në rrugën Drenas-Skenderaj, saktësisht në fshatin Polluzhë. Vdekjen e...
    Lajme01 Qershor 2025
    Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me ministrin e Jashtëm të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo. Sipas një njoftimi nga ana e presidentes,...
    Lajme01 Qershor 2025
    Komuna e Fushë Kosovës që udhëheqet nga kryetari Burim Berisha është përfshirë në një ‘hallakamë’ tenderuese, për shkak të dyshimeve për favorizime...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.