11 persona kanë vendosur të protestojnë lidhur me pakënaqësitë që kanë lidhur me një konkurs në Kombinatin Metalurgjik “Trepça” të datës 24 shtator 2019.
Lidhur me protestën është deklaruar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Trepçës”, Rafet Ibishi.
Ibishi tha se mungesa e bordit po pamundëson gjetjen e një zgjidhje për të pakënaqurit.
“Isha edhe i vizitova protestuesit. Është një protestë ku ata po e shprehin një pakënaqësi ndaj një konkursi të mëhershëm. Edhe unë mendoj që përzgjedhja nuk është bërë e mirë. Unë ju tregova që aktualisht e kemi të pamundur të bëjmë një zgjidhje pasi që po funksionojmë me ushtrues detyre të drejtorit. Pra, unë jam ushtrues detyre. Aktualisht jemi pa bord”, ka thënë ai për KlanKosova.
“Inspektorati i punës ka kthyer përgjigje ndaj ankesës së tyre. Në shkallën e parë përgjigja e inspektoratit ka qenë që këta duhet të pranohen. Dhe në shkallën e dytë përgjigja ka qenë që këta duhet të kthehen në punë. Aktualisht unë s’kam si me ju bë zgjidhje pasi që jemi pa bord dhe jam në pozitë kogja të vështirë”, është shprehur ai.
Sipas Ibishit, protestuesit janë zotuar se do të jenë të qetë dhe se nuk do të ketë provokime dhe as ofendime, dhe se kërkesa e tyre e vetme është punësimi./FrontOnline