×
  • Lajme
  • Lajme

    Pakënaqësi të mëdha me rritjen minimale të pensioneve, jep dorëheqje kreu i Pensionistëve të Kosovës

    FrontOnline
    20 Nëntor 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë bërë të ditur se nga tetori rriten pensionet për disa kategori të pensionistëve me 20 për qind.

    Në një konferencë për media javë më parë në Qeverinë e Kosovës, kryeministri Kurti, tha se situata me inflacionin është zbutur dhe ekonomia e vendit po i kthehet ritmit të filluar pas pandemisë.

    Sipas Kurtit, në një situatë të tillë mund të bëhet planifikim më i qëndrueshëm buxhetor dhe rrjedhimisht u mor vendimi për rritjen e pensioneve.

    Ai tutje tha se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë.

    Rritja e fundit e pensioneve në Kosovë ishte bërë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e miratoi gjatë kohës së pandemisë së COVID-19.

    Rritja simbolike e pensioneve/ Jep dorëheqje kreu i Pensionistëve të Kosovës

    Me vendimin e fundit të Qeverisë, pensioni bazik i moshës është rritur në 120 euro, pensioni kontribut-pagues për kategorinë e parë 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.

    E, pikërisht për mos plotësimin e kërkesave të pensionistëve si ajo e pagës dhe ligjin për skemën pensionale, e ka detyruar kreun e Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi të jap dorëheqje, ku sipas tij, kjo kategori është injoruar çdo herë nga Qeveria.

    “Prej sot, në shenjë revolte jo që nuk kam qenë i zoti, por unë nuk jam më kryetar i Lidhjes se organizatave komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës”, tha Gashi për FrontOnline.

    Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve: Rritja e pensioneve, rritje qesharake

    E pakënaqësinë për rritjen e pensioneve për 20 % e ka shprehur edhe sekretari i Lidhjes së Pensionistëve, Sherif Kastrati.

    Kastrati ka kritikuar rritjen prej 20% të pensioneve duke konsideruar se kjo rritje është ‘’qesharake’’ dhe  rritja është bërë sa të mos thuhet se nuk ka pasur rritje.

    ‘’ Nuk jemi aspak të kënaqur me rritjen e pensioneve, kjo është një rritje simbolike, kjo faktikisht nuk është asgjë ,kjo shumë është një rritje qesharake dhe është bërë veç sa me thënë është rritë’’, tha Kastrati për FrontOnline.

    Kastrati poashtu tha se pensionistët vijnë e shprehin ankesat e tyre çdo ditë, sepse, siç thotë ai, kjo rritje nuk u mjafton  duke  parë situatën me inflacion.

    ‘’ Pensionistët përditë vijnë , ka ankesa të shumta duke e ditur edhe inflacionin që na rrethon  me një fjalë kjo nuk është rritje fare’’, tha Kastrati.

    Xhavit Jashari: Pensionet duhet të rriten 50%, kjo rritje është thjeshtë një lojë politike dhe fushatë

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, ka reaguar ndaj rritjes së pensioneve për kategoritë e luftës, duke e cilësuar këtë masë si një veprim politik dhe jo si një përpjekje për përmirësimin e kushteve të jetesës për këto kategori.

    ‘’Rritja e pensioneve  është veprim politik, nuk është veprim për t’ia rregulluar standardin dhe jetën e kategorive  të dala nga lufta’’, tha Jashari për FrontOnline.

    Sipas Jasharit, rritja prej 20% është e pamjaftueshme dhe nuk mund të quhet një ngritje reale, pasi inflacioni aktual është më i lartë se kjo rritje.

    ‘’ Kjo nuk është ngritje e pensioneve, sepse inflacioni është më i lartë sesa ngritja që e kanë bërë dhe në këtë kohë ky vendim për neve është më shumë politik. Nuk është ngritje e merituar dhe që ua rregullon jetën këtyre kategorive ‘’, tha Jashari.

    Ai gjithashtu kritikoi vendimin për heqjen e përfitimeve të veteranëve nga paga minimale, duke e konsideruar këtë si një goditje për këto grupe .

    ‘’ Veteranët i kanë hequr nga paga minimale sepse ka qenë i përcaktuar benefiti i veteranit për pagën minimale dhe me ligj thuhet tekstualisht që edhe nëse ka komplikime buxhetore qeveria e republikës së Kosovës , benefiti I veteranit të Kosovës nuk duhet të jetë nën pagën minimale diçka që kjo qeveri I ka goditur veteranët duke I hequr nga kjo e drejtë ligjërisht e tyre’’, theksoi Jashari.

     

    Jashari kërkoi që rritja e pensioneve të jetë të paktën 50%, duke theksuar se ato nuk janë pensione të zakonshme, por benefite për ata që dhanë shumë për vendin. Ai e vlerësoi këtë rritje si një lëvizje më shumë për fushatë politike sesa një masë për përmirësimin e jetës së këtyre kategorive

    ‘’ Kërkesa jonë ka qenë që ngritja të bëhet prej 50% të beneficoneve, sepse ata po kalkulojnë gabimisht. Këto nuk janë pensione por janë beneficione ,benefite për kategoritë të cilat kanë dhënë shumë për vendin. Kjo është thjeshtë një lojë politike dhe fushatë politike sesa për të ngritur benefitet mjatueshëm dhe krijimin e një jete më të mirë’’, përfundoi Jashari.

    Gazmend Syla: Albin Kurti nuk e njeh Luftën Çlirimtare të Kosovës

    Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë se nuk e njeh Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe nuk ka asnjë respekt për luftëtarët dhe bartësit e organizimit çlirimtar.

    ‘’Albin Kurti nuk e njeh Luftën Çlirimtare të Kosovës, dhe nuk ka asnjë respekt për luftëtarët, dhe bartësit e organizimit çlirimtar’’, tha Syla për FrontOnline.

    Sipas Sylës, qëndrimi i Kurtit ndaj këtyre grupeve tregon se ai nuk e njeh as Republikën që e drejton, pasi kjo e fundit është ngritur mbi sakrificat e Dëshmorëve të UÇK-së.

    Ai theksoi se Kurti është vazhdimisht në kërkim të një “Republike të Tretë”, të ndërtuar mbi agjendat e tij majtiste, që nuk i jep rëndësi as historisë dhe as kontributit të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

    ‘’ Si pasojë, Kurti nuk e njeh as Republikën që e drejton, sepse e njëjta është ngritur mbi Dëshmorët e UÇK-së, dhe vazhdimisht është në kërkim të “Republikës së Tretë”, të ndërtuar mbi agjendat e tij majtiste’’, tha Syla për FrontOnline.

    Ky i fundit e kujtoi faktin se janë 29 muaj që kur Albin Kurti ka bashkuar votat me Listën Serbe për të kaluar një Ligj që ka lënë veteranët e luftës jashtë pagës minimale. Ai theksoi se, nga ajo kohë, çdo veteran i luftës do të kishte marrë 4.930 euro më shumë, një shumë që do të ishte shumë e nevojshme për përballimin e dimrit të ftohtë, sidomos në kushtet e vështira të furnizimit me energji elektrike, të cilat janë shtrenjtuar disa herë që nga ardhja e Qeverisë Kurti.

    ‘’ U bënë 29 muaj prej kur Albin Kurti, bashkoi votat me Listën Serbe për të na lënë ne luftëtarëve të lirisë, jashtë pagës minimale. Nga ajo datë deri më sot, çdo veteran do të merrte 4.930 euro më shumë, e ato para do të ishin të mirëseardhura në këtë dimër të ftohtë, marrë parasysh gjendjen e keqe në furnizimin me energji, të cilën na shtrenjtuan disa herë që kur erdhi kjo qeveri’’, theksoi Syla.

    Për më tepër, Syla e akuzoi Qeverinë Kurti për shpërdorim të fondeve publike, duke theksuar se, ndërkohë që “sejmenët” e Kurtit janë duke u përballur me gjyqe, po del në pah se vjedhjet nga kjo qeveri janë qindra milionëshe

    ‘’ Ndërkohë, kur sejmenët e Kurtit po përballen me gjyqe, po qartësohet se vjedhjet e kësaj qeverie janë qindra milionëshe’’, përfundoi Syla.

    Rritjen prej 20% të pensioneve e ka komentuar edhe opozita të cilët e kanë kritikuar duke e quajtur rritje për qëllime fushate.

    Deputeti i PDK-së: Rritja e pensioneve është bërë në fund të mandatit për qëllime elektorale

    Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar rritjen prej 20% të pensioneve nga Qeveria Kurti, duke potencuar se është e pa mjaftueshme nëse krahasohet me rritjen e çmimeve dhe se kjo rritje është bërë për arsye fushate.

    ‘’Kjo rritje e pensioneve është e pa mjaftueshme për pensionistët krahasuar me rritjen e madhe të çmimeve , kjo rritje është bërë në fund të mandatit për qëllime elektorale por është edhe e pa mjaftueshme’’, tha Haxhiu për FrontOnline.

    Haxhiu tha se kjo shumë pensionisteve nuk u del as për bukë e barna duke shpjeguar kështu që kjo rritje nuk do të ndikojë në mirëqenien e pensionistëve.

    ‘’ Kjo rritje nuk do të ndikojë në mirëqenien e pensionistëve, kjo as për barna nuk iu del , rritja prej 20 euro është shumë e pa mjaftueshme as për bukë nuk u mjaftojnë’’, përfundoi Haxhiu.

     

    Dreshaj: Çdo pension nën 500 euro është i  pa mjaftueshëm për një jetesë normale

    Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka komentuar lidhur me rritjen e pensioneve ku ka thënë se rritja në fjalë është vetëm kampanjë parazgjedhore dhe se çdo pension nën 500 euro është I pa mjaftueshëm për një jetesë normale.

    ‘’ Unë mendoj se rritja e pensioneve nga kjo qeveri është veç kampanjë parazgjedhore, çdo pension nën 500 euro është I pa mjaftueshëm për një jetesë normale’’, tha Dreshaj për FrontOnline.

    Kujtojmë se Nijazi Gashi, kryetar i Shoqatës se pensionistëve dhe invalidëve të punës ka dhënë dorëheqje pikërisht për shkak  të injorimit të kërkesave të tyre nga Qeveria.

    /FrontOnline/

    Nga Rubrika
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti mori pjesë mbrëmë në pritjen lamtumirëse për ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev. Ai e quajti Bullgarinë vend...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryetari i Shoqatës së Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Të hënën në fshatin Bube të Zubin Potokut, një njësit i KFOR-it ka vërejtur tre automjete dhe një furgon, të cilët dyshohet...
    Të tjera
    Lajme20 Nëntor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një burri pasi i njëjti dyshohet se me 11 nëntor e ka ngacmuar seksualisht...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka pretenduar se janë bërë 444 investime infrastrukturore në arsim. Në mesin e tyre, Kurti përmendi edhe investimet në...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e Komisionit për Buxhetin e Shtetit dhe Çështjet Financiare të Parlamentit Bavarez...
    Lajme20 Nëntor 2024
    UNICEF-i dhe BE-ja në Kosovë shënojnë sot Ditën Botërore të Fëmijëve në kuadër të projektit “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë”....
    Lajme20 Nëntor 2024
    Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) organizon sot konferencën “Inovacionet drejt digjitalizimit të shërbimit kadastral”, e cila ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve...
    Lajme20 Nëntor 2024
    Në rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, do të mbahet takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve. Takimi...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.