Pak para se të fillojë Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, Anton Quni është tërhequr nga gara.
Anton Quni i cili ishte kandidat për kryetar të LDK-së, është tërhequr nga kjo garë pak minuta para se të fillojë ky kuvend.
Postimi i plotë i QQunit, pa ndërhyrje:
Të dashur qytetarë, të nderuar delegatë të Kuvenditi të LDK-se e sidomos Ju mbështetës së kandidaturës sime për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Zgjedhjet e 14 Shkurtit, treguan një momentum të ri në skenën e zhvillimeve politike, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, shënoi rezultatin më kritik që nga themelimi i saj. Në këto rrethana, duke bartur mbi supe përgjegjësinë për të rikonsoliduar dhe për të rivendosur “Lidhjen” tonë aty ku e meriton, ashtu siç kam dëshmuar në momente shumë të vështira për proceset shtetndërtuese të Kosovës, isha i pari, edhe kësaj radhe, që kam shpallur kandidaturën time, për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuvendet zgjedhore kanë dëshmuar shpeshherë zëra kundërshtues, pikëpamje divergjente dhe momente të vështira kundrejt përpjekjeve për të avancuar reformat brenda partisë.
Në këtë kuptim edhe procesi i sotëm zgjedhor, shënon një etapë të re për zhvillimin e demokracisë së brendshme të LDK-së, një etapë të ripërtëritjes dhe avancimit të reformave të brendshme.
Prandaj, Sot, kur jam shumë i sigurt se cilido nga kandidaturat e shpallura që do të marrin drejtimin e LDK-së, garantojnë një drejtim të duhur për LDK-në, unë kam vendosur që të tërheqë kandidaturën time për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por gjithsesi, nga formacioni i ri i udhëheqjes së re të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të kërkoj llogaridhënie për të ri-vendosur dinjitetin e humbur të secilit nga anëtarët e sidmos, të ju garantojmë qytetarëve një rikthim dinjtoz me një qeverisje kualitative, që promovon vlerat më të larta të integritetit, kompetencës profesionale dhe transparencës.
Nga udhëheqja e re pritjet janë që të garantojnë gjithëpërfshirje në procesin e vendimmarrjes në LDK, mundësi të reja për anëtarë kredibil, përfaqësim të barabartë për gratë dhe të rinjtë në strukturat e të gjitha niveleve brenda partisë.
Poashtu, në raport me zhvillimet dhe proceset për interesin e shtetit, akoma i kemi shumë të freskëta veprimet e dhunimit të institucioneve shtetësore që duke përdorur kauzat kombëtare këto procese u përdorën për agjenda politike të disa partive politike, duke bërë që këto pasoja t’i ngarkohen barrë pozicionit ndërkombëtar të shtetit si dhe poceseve që ngadalësuan agjendën evropiane por edhe agjendën e reformave dhe proceseve shtetërore. Prandaj, dua që udhëheqja e re të gjykojë drejt dhe të tejkalojë interesat e agjendave politike, të luajë rolin e një opozite konstruktive për proceset shtetndërtuese e posaçërisht që fuqizojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës; por njëkohësisht, për të kërkuar më shumë llogaridhënie, përgjegjësi, dhe transparencë në funksionimin e institucioneve në përputhje me standardet më të larta të demokracisë, ashtu siç i takon një opozite të fuqishme të një demokracie parlamentare.
Udhëheqja e re e LDK-së, duhet të zhvillojë dhe duhet të prezantojë ide për të bërë të mundur që diaspora jonë t’a ankorojë të ardhmen e vet në atdheun e tyre, për t’i dhënë hapësirën e mjaftueshme në LDK.
Poashtu, nga udhëheqja e re kërkoj që reforma dhe procesi i vet-pastrimit të transformojë gjithë fizionominë e LDK-së dhe kështu të përmbushim amanetin e presidentit Rugova, për të ngritur në nivelin më të lartë të përgjegjësisë, forcimin e “Lidhjes” sonë.
Të dashur mbështetës, delegatë, anëtarë të Lidhjes Demokratike,
Të jesh një parti kaq e dëshmuar siç është “Lidhja” jonë, është një e gjë e rëndomtë të ngjitesh, biesh, lëndohesh, goditesh, baltosesh; por, fuqia e “Lidhjes” është e dëshmuar sepse ka ditur të ri-ngrihet, të konsolidohet dhe të rikthehet edhe më e fuqishme.
Në fund, gjej rastin që mbështetësve, të gjithë delegatëve e posaçërisht delegatëve të Lidhjes Demokratike të Degës në Prizren të cilët në mënyrë unanime kanë përkrahur kandidaturën time, Ju faleminderit për përkrahjen Tuaj të pakursyer. Poashtu, Ju faleminderit për motivin që më jepni çdo ditë, për të materializuar këtë energji në cdo vendim që marr, e në çdo proces që e ushëheqë.
Ju jam shumë mirënjohës dhe falenderues pa fund, ndërkohë që ju garantaoj se do jem zëri Juaj për të ju përfaqësuar denjësisht në strukturat e LDK-së, apo në cfarëdo roli tjetër, sa herë që më kërkohet.
Do të jemi së bashku në sfidat e reja; në rrugëtimin tonë të ri të “Lidhjes” sonë; në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt realizimit të ëndrrës sonë Rugoviane.
Na priftë e mbara!
I Juaji Anton Quni!