Seanca për votimin e Qeverisë Kurti 2 do të thirret pak orë pasi që të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë, merr vesh Gazeta Express.
Kuvendi i Kosovës sot me fillim në orën 10:00, do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.
Në krye të këtij institucioni pritet të emërohet Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deri partitë tjera nuk kanë zbuluar emrat e personave që do të emërohen si nënkryetarë të Kuvendit, nga LDK-ja kanë bërë të ditur se e propozojnë në këtë pozitë Kujtim Shalën.
Shala e kishte mbajtur këtë post edhe në legjislaturën e kaluar.
“Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së do të jetë Arben Gashi, ndërsa Kujtim Shala do të jetë nënkryetar i Kuvendit”, ka njoftuar gjatë vikendit kreu i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Kuvendi i Kosovës sot me fillim në orën 10:00, do mbajë seancën konstituive të legjislaturës së tetë.
Sipas agjendës, fillimisht do të formohet komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndërkohë, gjatë kohëzgjatjes së seancës, mediat mund të qëndrojnë në ballkonin e sallës plenare, konform Rregullores për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit.
Pas seancës së parë të legjislaturës së re, Gazeta Express merr vesh se do të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë Kurti 2.
Kjo javë pra pritet të jetë finale për krijimin e institucioneve të reja në Kosovë. Gjatë javës është diskutuar mundësia që të thirret seancë edhe për presidentin.
Deri më tani, disa persona dihet se do të emërohen në krye të dikastereve qeveritare.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista “GUXO” e Vjosa Osmanit kanë marrë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 50,28% të votave, duke u radhitur në vend të parë.
Në vend të dytë ka dalë PDK-ja me gjithsej 17,09%, ndërsa, LDK-ja ka dalë si parti e tretë me 12,73% të votave.