×
  • Lajme
  • Lajme

    Pahor i bie pishman për ta pasuar Lajçakun, tregon arsyet

    FrontOnline
    03 Janar 2025

    Ish-presidenti slloven, Borut Pahor nuk ka aplikuar për pozitën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ndonëse ai ka shprehur gatishmërinë për ta pranuar këtë pozitë vitin e kaluar.

    Afati i fundit për aplikim ka qenë sot në orën 17:00.

    Pahor përmendi si një nga arsyet e tërheqjes së tij se ai mësoi nga bisedat joformale se një diplomat po kërkohej për këtë pozicion.

    “Nëpërmjet bisedave të panumërta joformale, përfundimisht mu bë e qartë se ata po kërkonin një diplomat, jo një politikan, si një të dërguar special. Ky është sigurisht një vendim legjitim, por vazhdon një politikë e dialogut teknik, e cila nuk është dëshmuar shumë mirë”.

    “Për mendimin tim, për shkak të situatës shumë të ndryshuar, ka ardhur koha për një politikan në këtë post dhe për ndërhyrje politike, natyrisht nën udhëzimet e Përfaqësueses së Lartë. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën është e pabazë”, tha Pahor në një deklaratë të publikuar në X, raporton Klankosova.tv.

    Arsye për mos aplikim, Pahor përmendi edhe mandatin vetëm njëvjeçar në këtë post, për dallim prej të dërguarve tjerë të posaçëm (për Azinë Qendrore, për procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për Gjirin), të cilat tha ai se parashikojnë një mandat dyvjeçar.

    Po ashtu, ish-presidenti slloven përmendi edhe mospajtimin me politikën zyrtare të Bashkimit Evropian, si dhe politikën e tij të zgjerimit, pasi ai avokon për pranimin e anëtarëve të rinj të Bashkimit Evropian si paketë.

    “Në bisedat joformale, ishte e qartë se pikëpamjet e mia personale për zgjerimin devijonin nga politika zyrtare e BE-së. Kjo nuk duhet të jetë pengesë për një profesionist në pozicionin e të dërguarit special, pasi ai është i detyruar nga udhëzimet. Megjithatë, arrita të konstatoj se nuk ka asnjë mirëkuptim për këndvështrimin tim, që, natyrisht, edhe në bazë të kushteve të përmbushura të ndonjë prej 6 vendeve, ata do të pranonin vendet në paketë. Unë e kuptoj se avokimi për pranimin e hershëm të Malit të Zi dhe ndoshta të Shqipërisë është joshëse për shumë arsye. Por nga pikëpamja e stabilitetit gjeopolitik të rajonit dhe e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një qasje e tillë mund të jetë më shumë pengesë sesa nxitje”, u shpreh më tej Pahor.

    Në letrën e tij me arsyet për mos aplikim, ish-presidenti slloven tha se mendon se është domethënëse dhe e rëndësishme që bashkëbiseduesit në Kosovë dhe Serbi “menduan se ishte shumë më e rëndësishme dhe fatale për ta se si do të zhvillohen zgjedhjet amerikane, por jo ato evropiane, gjë që tregon shumë për autoritetin e procesit të zgjerimit në rajon”.

    Pahor ishte kryeministër i Sllovenisë nga viti 2008 deri në vitin 2012 dhe president i saj për dy mandate, nga viti 2012 deri në vitin 2022.

    Funksionin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi e kryen diplomati sllovak Miroslav Lajçak dhe mandati i zgjatur i tij përfundon në fund të janarit.

    Nga Rubrika
    Lajme05 Janar 2025
    Një pjesë e madhe e Europës pritet të përfshihet nga ngricat siberiane, duke pasur mot të ftohtë dhe ngrica gjatë muajit janar....
    Lajme05 Janar 2025
    Pritjet për të dalë nga Kosova po vijojnë deri në 3 orë në pikën kufitare në Merdarë. Kjo sipas të dhënave të...
    Lajme05 Janar 2025
    Një patrullë policore e Pejës derisa ishte duke ecur në këmbë në rrugën “Mbretëresha Teutë” ka ndaluar një person për kontroll. Tek...
    Të tjera
    Vip05 Janar 2025
    Driloni pas debatit që pati me Xuxin, e vazhdoi më pas me Gresën. E ky i tha asaj se xhelozia çka nuk...
    Bota/Rajoni05 Janar 2025
    Qeveria e Serbisë e ka miratuar një vendim për themelim të një trupi koordinues për t’i garantuar furnizimet me gaz dhe naftë,...
    Lajme05 Janar 2025
    Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe neo-radikalët e tij i...
    Bota/Rajoni05 Janar 2025
    Ish-Kryeministri grek Kostas Simitis, i cili udhëhoqi vendin në procesin e kalimit tek monedha e përbashkët e Bashkimit Evropian euro në vitin...
    Bota/Rajoni05 Janar 2025
    Ky vit i ri elektoral, shumicën e deputetëve të PS i ka gjetur të pasigurt për fatin e tyre politik, në lidhje...
    Lifestyle05 Janar 2025
    Ullinjtë janë një nga ushqimet më të shëndetshme. Ata janë të pasur me yndyrna të shëndetshme, me vitamina dhe minerale të domosdoshme...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.