Rrezikshmëria e shkurtit nuk u është paguar zjarrfikësve.
Megjithatë, paga bazë që ata morën këtë muaj, është për 50 euro më e lartë sesa ajo e muajit janar, ku përfshihej rrezikshmëria dhe shtesa tjera.
Këto ndryshime ndodhën si rezultat i Ligjit të pagave në Kosovë, i cili ka hyrë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Kryesindikalisti i kësaj kategorie, Muharrem Beka, i tha “Front Online”-it se nuk janë të kënaqur.
“Paga baza është rrit, por rrezikshmëria prej 107 euro është ndalë përkohësisht. 30 euro të shërbyesve civil janë ndërprerë po ashtu. 450 euro i ka marrë muajin e kaluar një zjarrfikës, tash 503 euro. Ka një ngritje prej 50 euro, por jo 200 qysh u proklamu”, u shpreh Beka.
Qeveria pati proklamuar rritje prej 200 eurove për ta.
Beka tregoi edhe për një problem tjetër.
“Ka pasë parregullsi, gabime ka pasë se nuk i kanë marrë parasysh pozitat, udhëqësitë e ndërrimeve i kanë paguar njëjtë si zjarrfikësit”, pohoi Beka.
Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.