
Paga minimale në Kosovë është rritur me vendim të Qeverisë, duke hyrë në fuqi fillimisht me një rritje nga fillimi i këtij viti, ndërsa një rritje e dytë parashihet në mes të vitit.
Sipas vendimit zyrtar, paga minimale nga janari 2026 është caktuar në 425 euro, ndërsa nga korriku pritet të rritet në 500 euro bruto. Rritja është paraparë të zbatohet për të gjithë punëtorët që paguhen me pagë minimale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Megjithatë, zbatimi i tij në praktikë po përballet me sfida, sindikatat paralajmërojnë se nëse vendimi nuk zbatohet nga punëdhënësit, punëtorët mund të ndërmarrin masa, përfshirë greva dhe ndërprerje të shërbimeve, ndërsa rastet e moszbatimit mund të referohen edhe te Inspektorati i Punës dhe gjykatat.
Azemi: Nëse nuk zbatohet paga minimale do të fillojmë me greva, kemi ankesa në Klinë dhe Drenas
Jusuf Azemi kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe Sektorit Privat, lidhur me respektimin e pagës minimale u deklarua për FrontOnline se ende nuk ka pasqyra të plota të zbatimit të vendimit në sektorin privat. Shumica e pronarëve të kompanive nuk i kanë dorëzuar ende pagat e punëtorëve, gjë që e bën të vështirë evidentimin e respektimit të vendimit qeveritar.
Mosrespektimi i pagës minimale është konstatuar kryesisht te kompanitë që kryejnë shërbime për shtetin dhe komunat.
‘’Pagën minimale nuk janë duke e respektuar dhe nuk e kanë respektuar këto kompani që janë në një farë forme duke kryer shërbime për shtetin dhe kuvende komunale’’, tha Azemi për FrontOnline.
Azemi Sindikata ka pranuar dy ankesa konkrete për moszbatim të pagës minimale, duke përfshirë punëtorë teknikë që kryejnë shërbime për kompani private në qendrën e mjekësisë familjare në Klinë dhe në Drenas, ku kontratat e punës ishin skaduar dhe ofrohej rinovimi me orar të reduktuar dhe pagesë më të ulët se minimumi ligjor.
‘’Kemi pranuar dy ankesa sa i përket pagës minimale që nuk po zbatohet, kemi njërin rast një teknik në qendrën e mjekësisë familjare në Klinë dhe punëtoret teknike në Drenas që kryejnë shërbime për një kompani private, punëtorëve u ka skaduan kontrata dhe kur u është ofruar e reja u është thënë tua nënshkruajnë kontratën e re për 4 orët për 235euro’’, tha kryetari i sektorit privat.
Azemi tha Sindikata ka dhënë afat deri në fund të javës për dorëzimin e pagave sipas ligjit. Sindikata ka paralajmëruar se, nëse vendimi nuk zbatohet nga punëdhënësit, punëtorët mund të ndërmarrin masa si përfshirë greva , ndërprerje shërbimesh si dhe thirrjen e Inspektoratit të Punës për kontroll. Në rast të mosveprimit të institucioneve, rastet mund të çohen edhe në gjykatë.
‘’Çdo kompani që nuk e ka zbatuar vendimi do i japim afat një javor nëse nuk bëhet menjëherë do të fillojmë ,me greva dhe do thërrasim inspektoratin të merren me ta e nëse edhe kjo nuk funksionon ata duhet ti paraqesim në gjykate’’, përfundoi Azemi.
Hykolli: Gastronomia, ndërtimtaria dhe siguria private më të prekur nga moszbatimi i pagës minimale
Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka vlerësuar rritjen e pagës minimale në Kosovë në 425 euro si një hap të rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve. Ai thekson se çdo rritje e pagës për BSPK-në është e mirëseardhur, duke e konsideruar këtë vendim si një hap pozitiv.
‘’Çdo rritje e pagës për BSPK-në është e mirëseardhur. BSPK-ja e mirëpret pagën minimale në Kosovë prej 425 eurosh, duke e vlerësuar si një hap të vogël, por të rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve’’, tha Hykolli për FrontOnline.
Sipas Hykollit, zbatimi i pagës minimale mbetet i pabarabartë, sidomos në sektorin privat, ku shpesh konstatohet pagesë nën minimum, paga të pasakta, si dhe forma të punës së paregjistruar apo pagesa jashtë sistemit. Sektoret më të ndjeshëm përfshijnë gastronominë, ndërtimtarinë dhe sigurinë private, ku punëtorët shpesh punojnë në kushte të padrejta.
‘‘Megjithatë, zbatimi i saj mbetet i pabarabartë, veçanërisht në sektorin privat. Sipas informatave që ka BSPK-ja, ka raste kur punëtorët paguhen nën minimumin , deklarohen paga të rreme, si dhe hasen forma të punës së paregjistruar apo pagesa jashtë sistemit. Sektorët më të ndjeshëm, ku punon edhe një numër i madh i të rinjve, si gastronomia, ndërtimtaria dhe siguria private, janë më të prekurit. Në këto fusha, punëtorët shpesh detyrohen të punojnë në kushte të padrejta pune’’, deklaroi kreu i BSPK-së.
BSPK-ja, sipas Hykollit, është e gatshme të kontribuojë dhe u bën thirrje autoriteteve dhe Inspektoratit të Punës të veprojnë me transparencë dhe në partneritet me sindikatat, për të siguruar që çdo punëtor të marrë pagën që i takon sipas ligjit.
Çdo rritje e pagës për BSPK-në është e mirëseardhur. BSPK-ja e mirëpret pagën minimale në Kosovë prej 425 eurosh, duke e vlerësuar si një hap të vogël, por të rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet i pabarabartë, veçanërisht në sektorin privat.
‘’ BSPK-ja shpreh gatishmërinë për të kontribuar dhe u bën thirrje autoriteteve dhe Inspektoratit të Punës që të veprojnë me transparencë dhe në partneritet me sindikatat, për të garantuar që çdo punëtor të marrë atë që i takon me ligj’’, përfundoi Hykolli.