Vetëm pak muaj pasi e mori mandatin për ta udhëhequr Qeverinë e Kosovës, kryeministri Albin Kurti dha një premtim të madh: Do ta përgatisim padinë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Premtimi i dhënë në fillim të mandatit nuk mori epilog as në fund të mandatit 4 –vjeçar të Qeverisë. Megjithatë, shefi i Qeverisë së vendit ditë më parë deklaroi se “po i bëjnë përgatitjet jashtë syve të publikut”.
Familjarë të Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë janë të dëshpëruar me kryeministrin Kurti, duke thënë se ky i fundit as nuk i ka realizuar premtimet e dhëna për të pagjeturit e as për padinë për krimet e luftës për Serbinë.
Bajram Qerkini: Jemi tepër të zhgënjyer me kryeministrin Albin Kurti
Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Bajram Qerkini, ka shprehur zhgënjim ndaj Qeverisë ‘Kurti’.
‘’Ne kemi menduar që premtimet e Albin Kurtit do të realizohen, por jo. Në takimin e parë me grupin dialogues për personat të pagjetur kanë pru vendim se nuk ka bisedë për asgjë, pa bisedu për personat e pagjetur por kjo nuk ndodhi’’, thotë ai për Front Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se autoritetet po përgatiten që Serbia të akuzohet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri aktual i pati kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të punojë maksimalisht që personat përgjegjës për krime gjatë luftës, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen penalisht dhe të dënohen.
“Ministria e Drejtësisë edhe këshilltarët e mi ligjorë bashkë me ekspertët ndërkombëtarë, janë duke bërë përgatitjet që të akuzohet Serbia si shtet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime luftime, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, kishte deklaruar Kurti gjatë homazheve në Drenas, më 30 mars 2024.
Deputeti i GUXO-së: Së shpejti do ta padisim shtetin serb
Anëtari i Listës Guxo në Komisionin për Persona të Pagjetur dhe Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, Nasuf Bejta, thotë se për padinë ndaj Serbisë është punuar shumë nga Qeveria ‘Kurti’.
“Është punuar shumë dhe priten rezultatet shumë shpejtë. Kjo Qeveri ka punuar si asnjë më parë”, u shpreh Bejta.
Bejta tregoi se po punohet që së shpejti të ketë padi ndaj shtetit serb.
“Janë duke u mbledhur dokumentacione, fakte dhe janë duke punuar në mënyrë sistematike. Së shpejti besoj që do të shtrojmë padi ndaj shtetit gjenocid serb”, thotë Bejta.
Tutje, deputeti Bejta thotë se gjykimet po kryhen në mungesë pas një ndryshimi që ka bërë pushteti aktual.
“Kemi bërë ndryshimin e legjislacionin për mundësinë e këtij institucioni që të hapen hetimet dhe të kryhen gjykimet në mungesë”, tregoi Bejta.
Klinaku i OVL-UCK: Premtimi për padinë ndaj Serbisë vetëm fushatë elektorale e VV’së
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku në një prononcim për “Front Online” thotë se premtimi i VV’së për padinë ndaj Serbisë ka qenë për fushatë elektorale.
Klinaku shprehet se Kosova s’ka mundësi të bëjë padi, pa qenë anëtare në Këshillin e Sigurisë.
“Ka qenë fushatë elektorale e tij se Kosova nuk mundet t’i bëjë padi askujt pa qenë në Këshill të Sigurimit”, u shpreh Klinaku./FrontOnline/